Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka akuzuar deputetët e opozitës për mungesë sinqeriteti, sipas saj, një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë për procesin e privatizimit të sektorit të energjisë. Ajo njëkohësisht hodhi poshtë akuzat ndaj saj, duke thënë se nuk kanë pasur bazë ligjore, raporton Ekonomia Online.
Kusari-Lila tha se lënia e fajit mbi supet e saj i bën të largohen nga përgjegjësia deputetët e LDK-së dhe PDK-së, e se kjo nuk e ndihmon qytetarin.
“Të nderuar deputetë, është interesante se ftesa për këtë seancë të jashtëzakonshme erdhi vetëm pas njoftimit se dështuan, në njëfarë forme, diskutimet për zgjedhjen e presidentit. Siç edhe mbrojtja e interesit të qytetarëve, edhe ndoshta pas interesit se mos po arrijmë ndonjë marrëveshje, e këtë e lëmë pastaj. Kjo, në esencë, e tregon edhe njëfarë jo-sinqeriteti në raport me temat që do të duhej t’i diskutonim.
E mënyra se si po shpreheni, edhe faktet të cilat po i shtrembëroni në vazhdimësi, në veçanti nga ato që i dëgjova kur erdha këtu, pasi isha në një angazhim tjetër dhe nuk e kam përcjellë seancën, duke u përfolur në vazhdimësi emri im. Unë uroj që juve t’ju bëjë më të lehtë fakti se e zhveshni veten nga të gjitha përgjegjësitë tuaja të deritashme, ndërsa unë e mbaj, siç thuhet, ‘kryqin në shpinë’, dhe e kam fajin për privatizimin, e kam fajin për koordinimin me Listën Serbe, e kam fajin për njerëzortë, e kam fajin për çka t’ju bie në mend – ma lini mua.
Hiç nuk është problem nëse juve ju bën më të lehtë, por në fakt kjo e vërtetë nuk e ndihmon qytetarin, as nuk ju liron juve nga përgjegjësia juaj. Për t’ju rikujtuar disa fakte që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me përgjegjësinë edhe të subjektit politik, edhe të individëve, po kthehemi prapa për pak minuta sa i përket sektorit të energjisë.
Më 2 tetor 2008, Qeveria e Kosovës e asaj kohe, në koalicionin PDK-LDK, e miraton vendimin për privatizimin e distribucionit të KEK-ut. E zyrtarizon më 2 dhjetor 2008, dy muaj më pas, dhe në atë kohë, nga kabineti qeveritar PDK-LDK, ose Qeveria Thaçi I, njihej si sukses i asaj kohe.
Edhe ju, si parti e djathtë, e cila edhe sot e kësaj dite në programin tuaj, edhe në zgjedhjet e fundit, e keni pasur privatizimin e Telekomit, i vetmi aset që ka mbetur pa u privatizuar atëherë, nuk e di pse sot jeni ‘guri e dru’ për privatizimin e KEDS-it, ndërsa asnjë element përmbajtësor nuk e nxirrni nga procesi.
Sa i përket aktakuzës që e përmendi deputeti Mustafa, në vitin 2013 unë isha ministre nga PDK-ja; ministër i Komuniteteve ishte zoti Rashiq, si dhe rreth 18 përfaqësues të ZRRE-së, KEK-ut të atëhershëm, e më pas KEDS-it, e kështu me radhë. Sa i përket dy vendimeve për privatizim, procesi ka filluar në Qeverinë Thaçi I dhe është finalizuar në Qeverinë Thaçi II.
Privatizimi ka qenë proces i përcjellë me një marrëveshje me Bankën Botërore, më konkretisht me International Finance Corporation (IFC), që ka qenë këshilltar i transaksionit. Nëse ju intereson çka ka ndodhur në privatizim, ta dini se i gjithë dokumentacioni i secilit takim të grupit qeveritar është arkivë e qasshme. Asnjë takim, madje as në aktakuzën e bërë nga Prokuroria Speciale, nuk i referohet ndonjë arkive të fshehtë apo përfitimi material për individë të caktuar”, tha Kusari-Lila.
Ajo, për aktakuzën e përmendur nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, tha se kanë qenë të përfshirë edhe të tjerë, si Bedri Hamza dhe të tjerë.
“Edhe aktakuza nuk ka të bëjë me procesin e distribucionit, dhe ju shumë mirë e dini këtë, por po zgjidhni të jeni gjysmë neglizhentë e gjysmë manipulativë për opinionin publik. Aktakuza ka qenë për katër hidrocentralet e vogla, të cilat kanë mbetur me distribucionin, dhe në fund është vërtetuar në dy shkallë – edhe në themelore, edhe në apel – se nuk ka pasur bazë.
Nuk e di çka tjetër do të flisni më shumë. Nëse ju bën më lehtë edhe të shfryheni si opozitë, përmendeni. Ju përmendni vazhdimisht më shumë humbjet e mbetura – nuk e di pse ndodh kjo çuditërisht – por është absurde të mendoni që sot, pas 13 vitesh, të ma përmendni emrin për atë akuzë.
Ka qenë kryetari aktual i PDK-së, zoti Bedri Hamza, si ministër i Financave; ka qenë ish-ministri Besim Beqaj; ministri aktual Nenad Rashiq; ka qenë ministër Dardan Gashi.
Sa i përket vlerës dhe kontratës, të dyja janë publike: vlera 26.3 milionë euro, ndërsa investimet 120 milionë euro në atë kohë. Keni pasur mjaftueshëm mandat qeveritar për ta përcjellë vlerën e investimeve të KEDS-it. Sa herë e keni ngritur këtë çështje? Asnjëherë të vetme.
Ne shumë thjesht kemi thënë: dy komisione qeveritare për hetimin e çështjes së energjisë janë ngritur në legjislaturën e kaluar për ministren Artane Rizvanolli dhe për kabinetin Kurti II, por asnjëherë nuk janë ftuar për të diskutuar në mënyrë përmbajtësore për vlerën e investimeve të KEDS-it.
Gjithashtu, për ata që e njohin ligjin e energjisë, asetet e energjisë nuk barten diku tjetër – ato janë të vendit. Secili aset që sot është në distribucion është i Kosovës. Edhe nëse nesër ndërpritet marrëveshja, këto asete mbesin në Kosovë, siç kanë qenë gjithmonë”, tha Kusari-Lila.