Rastet e sulmeve, QKUK inicion formimin e Shtabit Emergjent për menaxhimin e qenve endacakë

Prishtinë | 30 Pri 2026 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka iniciuar formimin e një Shtabi Emergjent pas situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë brenda kampusit të institucionit, si dhe pas disa rasteve të fundit të kafshimeve të raportuara.

Sipas njoftimit, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, ka ndërmarrë këtë hap me qëllim të rritjes së sigurisë për pacientët, stafin shëndetësor, vizitorët dhe qytetarët që frekuentojnë institucionin.

Shtabi Emergjent ka për detyrë të koordinojë masat urgjente për identifikimin, kontrollin, largimin dhe parandalimin e rrezikut nga qentë endacakë brenda hapësirave të QKUK-së.

Në përbërje të këtij mekanizmi janë përfaqësues të strukturave të brendshme të QKUK-së, përfshirë drejtues institucionalë, Kliniken Emergjente, Zyrën Ligjore dhe Shërbimin e Sigurimit dhe zjarrfikësve.

Po ashtu, në proces janë përfshirë edhe institucione të jashtme si Komuna e Prishtinës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Policia e Kosovës, inspektorati komunal, kompania kontraktuese për trajtimin e qenve endacakë si dhe organizata të licencuara për mbrojtjen e kafshëve.

QKUK ka theksuar se masat vijnë si reagim i domosdoshëm pas shqetësimeve të ngritura dhe rasteve të fundit të kafshimeve brenda hapësirave të kampusit.

Rasti i fundit ka ndodhur para dy ditësh ku një 15-vjeçare tjetër u sulmua nga një grup qensh endacakë në hyrje të Ortopedisë në QKUK.

Të ngjashme