Cakiqi prezanton Programin e Pagesave Direkte: 150 euro për hektar dhe mbështetje shtesë për blegtorinë dhe cilësinë e prodhimit

Prishtinë | 30 Pri 2026 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore, Isuf Cakiqi ka prezantuar detajet e Programit të Pagesave Direkte dhe masave mbështetëse për vitin aktual, duke theksuar se orientimi i këtij viti synon rritjen e prodhimit vendor dhe përmirësimin e cilësisë, raporton Ekonomia Online.

Ai bëri të ditur se programi këtë vit ka pësuar ndryshime në strukturë, duke u fokusuar më shumë në mbështetjen direkte të fermerëve dhe sigurimin e lëndës së parë nga prodhuesit vendorë.

“Sivjet orientimi i këtyre programeve ka pësuar një format tjetër në shërbim të mbështetjes së fermerëve, duke synuar rritjen e sasisë së prodhimit, rritjen e cilësisë, si dhe sigurimin e lëndës së parë nga prodhuesit vendorë,” deklaroi Cakiqi.

Sipas tij, Programi i Pagesave Direkte do të zbatohet përmes disa formave kryesore, duke përfshirë pagesat bazë për sipërfaqe, pagesat e rishpërndarjes, pagesat e lidhura me prodhimin dhe cilësinë, ekoskemat, si dhe zbatimin e kushtëzimit.

Në kuadër të pagesave bazë për sipërfaqe, ai njoftoi se mbështetja do të jetë 150 euro për hektar për një gamë të gjerë kulturash bujqësore.

“Mbështetja jepet në mënyrë të njëjtë për hektar për të gjitha sipërfaqet e mbjella dhe të pranueshme, duke përfshirë drithërat si gruri, misri, tërshëra e thekra, kulturat industriale si luledielli, kulturat perimore, pemtarinë dhe vreshtarinë,” tha ai.

“Mbështetja për Sipërfaqe (150€ për Hektar)

Te pagesat bazë për sipërfaqe, mbështetja jepet në mënyrë të njëjtë për hektar për të gjitha sipërfaqet e mbjella, të kultivuara dhe të pranueshme brenda grupeve përkatëse. Këtu bëjnë pjesë:

• Dithrat: Gruri, gruri për malt, misri, tërshëra dhe thekra. Mbështetja do të jetë 150€ për hektar.

• Kulturat industriale (vajore): Luledielli dhe repa e vjetër. Mbështetja do të jetë 150€ për hektar.

• Kulturat perimore (teknike): Fasulja. Mbështetja do të jetë 150€ për hektar.

• Perimet: Të cilat kultivohen në ambiente të mbrojtura (sera) dhe në fushë të hapur. Mbështetja do të jetë 150€ për hektar.

• Pemtaria: Të gjitha pemët frutore, si dhe pemët e imta (manore). Mbështetja do të jetë 150€ për hektar.

• Vreshtaria: Të gjitha sipërfaqet e mbjella me vreshta dhe të kultivuara. Mbështetja do të jetë 150€ për hektar”, shtoi ai.

Cakiqi shtoi se programi përfshin gjithashtu mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin e blegtorisë, me synim rritjen e prodhimit dhe cilësisë.

“Për gjedhet, bulliçat do të subvencionohen me 150 euro për krerë, lopët qumështore me 90 euro, ndërsa për delet dhe dhitë mbështetja do të jetë 25 euro për krerë. Po ashtu, për bletarinë do të ketë subvencionim prej 20 euro për koshere,” theksoi ai.

Në sektorin e qumështit, mbështetja do të diferencohet sipas cilësisë, ku për klasën A do të jepen 0.07 euro për litër, për klasën B 0.04 euro dhe për klasën C 0.02 euro për litër.

Ndërsa për prodhuesit e grurit, ai bëri të ditur se subvencionimi do të jetë i lidhur me sasinë e prodhuar dhe të dorëzuar.

“Për grurin, subvencionimi do të jetë nga 0.03 deri në 0.05 euro për kilogram, në varësi të sasisë së dorëzuar,” shtoi Cakiqi.

Të ngjashme