Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj publikimit të indeksit të lirisë së shtypit për vitin 2026 nga organizata Reporterët pa Kufij, sipas të cilit Kosova ka shënuar përparim prej 15 vendesh në renditjen globale.
Në një postim publik, VV vlerëson se në Kosovë ka ekzistuar vazhdimisht një nivel i lartë i lirisë së medias dhe hapësirë për shprehje të lirë, gjë që, sipas tyre, është konfirmuar ndër vite nga raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
Megjithatë, partia në pushtet thekson se raporti i fundit nënvizon një problem të vazhdueshëm: ndikimin e grupeve të caktuara të biznesit në mediat private. Sipas VV-së, kjo çështje mbetet shqetësuese dhe kërkon vëmendje të shtuar institucionale dhe shoqërore.
Duke cituar raportin e Reporterët pa Kufij, në reagim thuhet: “Nëpërmjet pronarëve të tyre, redaksitë e lajmeve të mediave private janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike ose biznesore.”
VV thekson se, pavarësisht progresit në renditje, adresimi i ndikimeve të tilla është thelbësor për ruajtjen dhe avancimin e mëtejshëm të pavarësisë së mediave në vend.
“Kosova përparon për 15 vende në lirinë e shtypit sipas indeksit 2026 nga Reporterët pa Kufij. Në Kosovë gjithmonë ka ekzistuar një nivel i lartë i lirisë së medias dhe hapësirë për shprehje të lirë. Këtë e kanë konfirmuar raporte të ndryshme, vendore dhe ndërkombëtare, vit pas viti. Një çështje që ky raport e nënvizon, dhe që edhe raporte të tjera vendore dhe ndërkombëtare vazhdojnë ta theksojnë, është ndikimi i grupeve të caktuara të biznesit në mediat private. Kjo gjë mbetet ende shqetësuese. Raporti e shpreh këtë në mënyrë të qartë: “Nëpërmjet pronarëve të tyre, redaksitë e lajmeve të mediave private janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike ose biznesore.”, thuhej në postim.