Nimoni: Digjitalizimi i sistemit të drejtësisë, thelbësor për rritjen e transparencës dhe efikasitetit

Prishtinë | 30 Pri 2026 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Me ftesë të Presidencës së Qipros, Zëvendëministri i Drejtësisë, Genc Nimoni mori pjesë në takimin e Zyrtarëve të Lartë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme.

Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e BE-së në kuadër të grup kapitullit të parë, me fokus në sundimin e ligjit, forcimin e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në këtë drejtim, u theksua roli i digjitalizimit në përmirësimin e qasjes në drejtësi dhe rritjen e besimit të qytetarëve, si dhe potenciali i përdorimit të Inteligjencës Artificiale për rritjen e efikasitetit. Por, u diskutuan edhe rreziqet që kërkojnë adresim përmes ndryshimeve ligjore dhe trajnimeve të specializuara.

Në diskutimet rreth mbrojtjes së vlerave të demokracisë, u ritheksua rëndësia e zhvillimit të zgjedhjeve gjithëpërfshirëse dhe të besueshme, në përputhje me standardet evropiane, duke garantuar transparencë dhe integritet të procesit zgjedhor. Si dhe, roli kyç i shoqërisë civile dhe nevoja për forcimin e hapësirës qytetare si shtyllë e një shoqërie demokratike.

Zëvendësministri Nimoni ndër të tjera theksoi progresin e Republikës së Kosovës në digjitalizim, duke nënvizuar nevojën për avancimin e mëtejshëm të sistemit aktual, me qëllim të krijimit të një baze të qëndrueshme për integrimin e sigurt të Inteligjencës Artificiale.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së demokracisë përmes zgjedhjeve të lira dhe të drejta, si dhe forcimit të shoqërisë civile përmes proceseve gjithëpërfshirëse legjislative dhe politikëbërëse.

Në takim, u shkëmbyen përvojat ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe u theksua nevoja e thellimit të bashkëpunimit, mes tjerash. Si dhe, u prezantuan prioritetet kryesore të Presidencës së radhës, Irlandës, për drejtësi dhe punë të brendshme.

Të ngjashme