Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Pashinyan u uron mirëseardhje liderëve – publikon foton e pjesëmarrësve

Prishtinë | 04 Maj 2026 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, u ka uruar mirëseardhje pjesëmarrësve të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi për forcimin e bashkëpunimit në kontinent.

Përmes njoftimit në X, ai është shprehur se është “kënaqësi e madhe të mirëpresë kolegët dhe partnerët në Jerevan”, duke e cilësuar kryeqytetin armen si “zemra rrahëse e Evropës” gjatë këtij samiti.

Pashinyan ka theksuar gjithashtu se pret diskutime mbi çështje kyçe dhe angazhime që do të çojnë drejt partneriteteve më të forta dhe më premtuese mes vendeve pjesëmarrëse.

Krahas mesazhit, ai ka publikuar edhe foton familjare të liderëve që marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Në mesin e tyre ndodhen edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian mbledh liderë nga e gjithë Evropa për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta dhe për të thelluar bashkëpunimin politik dhe ekonomik në rajon. Samiti do të bashkëkryesohet nga António Costa, Presidenti i Këshillit Evropian, dhe Nikol Pashinyan, kryeministri i Republikës së Armenisë.

48 krerë shtetesh dhe qeverish janë ftuar të marrin pjesë në këtë takim të tetë të Komunitetit Politik Evropian.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, do të marrë pjesë si i ftuar në këtë samit. Kjo do të jetë hera e parë që një vend jo-evropian merr pjesë në takim. Komuniteti Politik Evropian synon të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin politik për të adresuar çështje me interes të përbashkët dhe të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian

Takimi i radhës i samitit të Komunitetit Politik Evropian do të zhvillohet në Irlandë në nëntor 2026.

Vitin e kaluar ishin mbajtur dy takime. Në maj ishte mbajtur në Tiranë, kurse në tetor në Kopenhagë të Danimarkës. Në të dytë, Kosova ishte përfaqësuar nga presidentja e gjashtë, Vjosa Osmani.

Të ngjashme