Arteta e paralajmëron Simeonen: Në fushë si bisha

Prishtinë | 05 Maj 2026 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Atmosfera para ndeshjes së kthimit të gjysmëfinales së Champions League mes Arsenalit dhe Atlético Madridit është ndezur edhe më shumë pas deklaratave të Mikel Artetës.

Trajneri i Arsenalit ka folur me tone shumë të forta në prag të sfidës vendimtare në “Emirates”, duke e kërkuar maksimumin nga skuadra e tij në një ndeshje ku një vend në finale është në lojë.

“Në fushë duhet të jemi si ‘kafshë’”, është mesazhi i fortë i Artetës, i cili e ka paralajmëruar një Arsenal agresiv, intensiv dhe pa frikë përballë stilit të njohur të Atletico Madridit.

Deklarata e tij vjen në një moment kur tensioni mes dy skuadrave është rritur ndjeshëm, pas një ndeshjeje të parë të luftuar fort dhe me shumë polemika, ku gjithçka mbetet e hapur për kualifikim.

Nga ana tjetër, skuadra e Diego Simeones mbetet besnike filozofisë së saj të njohur: disiplinë, organizim dhe kundërsulme të shpejta.

Argjentinasi e ka ndërtuar një Atletico që di të vuajë, por edhe të godasë në momentin e duhur.

Arteta, megjithatë, nuk dëshiron llogari apo frikë: ai e kërkon një Arsenal dominues, me intensitet maksimal që nga minuta e parë, duke e kthyer stadiumin “Emirates” në një armë shtesë për kualifikimin në finale.

Në këtë duel të madh, ku detajet mund të vendosin gjithçka, fjalët e trajnerit spanjoll tregojnë qartë: Arsenali nuk do të luajë për të menaxhuar – por për të sulmuar deri në fund.

Të ngjashme