Samiti global dyditor “PowerToHR” ka mbledhur në Kosovë mbi 100 sesione interaktive dhe folës nga kompani lider ndërkombëtare si Google, Microsoft, OpenAI, Zoom, Rakuten Viber dhe Amazon, duke e kthyer vendin në një qendër të rëndësishme të diskutimeve për burimet njerëzore dhe teknologjinë, raporton Ekonomia Online.
Themeluesi i samitit, Arion Rizaj, tha se organizimi i një eventi të tillë në Kosovë është i një rëndësie të veçantë, duke sjellë ekspertë dhe pjesëmarrës nga e gjithë bota.
“Mendoj që për Kosovën është hala më e rëndësishme sepse nuk është që kemi samite të tilla që organizohen në Kosovë. Për neve është shumë e rëndësishme dhe misioni kryesor ka qenë me i pru njerëzit prej krejt botës në Kosovë. Ne paguajmë mijëra euro me shku nëpër vendet e Evropës me ndjekë samite, kështu që është një mundësi jashtëzakonisht e mirë edhe unike që njerëzit me ardhë te ne. Edhe këtë po besoj e kemi mbërri me mbi 100 spikerë që kanë ardhë me jep njohurinë e tyre me nda me neve edhe mbi 500 pjesëmarrës që janë prej rajonit edhe prej Evropës që kanë ardhë apostafat për ‘PowertoHR”, tha ai.
Ai theksoi se përkrahja institucionale dhe stabiliteti politik janë kyçe për zhvillimin e mëtejmë të samitit.
“Mbështetja institucionale është e domosdoshme, sidomos e kam parë në çdo vit tu rritë samiti, gjithmonë po rritet edhe nevoja për përkrahje. Kemi gjetë përkrahje prej institucioneve prej të cilave kemi kërkua. Po mendoj që për me arritë atë ëndrrën maksimale që ne dëshmojmë me mbërri ku janë samitet mbi 5-6 mijë njerëz, ka me pasë hala nevojë për përkrahje dhe kemi me pasë nevojë për me bashkëpunua me ta. Kështu që në këtë pikë edhe stabiliteti politik është shumë i rëndësishëm për neve sepse e ka impakt direkt në samitin PowerToHR”, tha ai.
Rizaj shtoi se pjesëmarrja e kompanive më të mëdha globale ka ndikuar edhe në promovimin e Kosovës si destinacion për evente ndërkombëtare.
“Kemi folësa që po vijnë prej Microsoft-it, prej Google, Facebook, prej Amazon, prej OpenAI-it, ChatGPT-së, prej BMW-së, Siemens-it, Bosch-it, domethënë janë kompanitë më të mëdha të botës që kanë ardhë në këto dy ditë për me mbajtë sesione edhe me nda njohurinë e tyre me audiencën tonë. Kështu që po besoj që është një arritje shumë e madhe edhe jam hala në emocionet e hapjes sepse sado që shpesh thojmë Kosova kështu, Kosova ashtu, është një përfaqësi shumë e madhe sepse pritshmëritë e spikerëve nuk kanë qenë shumë të mëdhaja kur ju kemi thonë me ardhë në Kosovë. Po në momentin që kanë ardhë në Kosovë dhe kanë hy këtu brenda, nuk kanë mujt me besu ku kanë ardhë. Edhe prej të gjithëve kemi marrë feedback-un që Kosova, Prishtina nuk koka ashtu qysh kemi mendu. Kështu që po besoj që edhe kjo është një ndër qëllimet tona kryesore që ka të bëjë me promovimin e Prishtinës edhe Kosovës në përgjithësi”, tha ai.
Ndërkaq, arkitekti kryesor i inteligjencës artificiale në Microsoft, Fatos Ismaili, foli për ndikimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës dhe transformimin e aftësive profesionale.
“Dhe më pas Stanford kohët e fundit ka bërë një studim të gjerë duke u përpjekur të kuptojë ndikimin e AI në segmente të ndryshme të punës, dhe e ka kategorizuar atë në tre fusha kryesore, që janë: AI po u mundëson njerëzve të zgjerojnë shtrirjen e tyre, jo vetëm brenda fushës së tyre. Pra nëse jeni një analist marketingu dhe përdorni Gen AI, sot me Gen AI dhe GitHub Copilot dhe Claude, ju mund t’i përdorni këto modele për të koduar gjëra për ju. Pra mund të bëheni pothuajse si një programues, në njëfarë mënyre, përmes përdorimit të këtyre teknologjive. Dhe po shohim programues që po bëhen ekspertë të fushave në shërbimet financiare, që më parë po ndërtonin botë tregtimi, më parë po ndërtonin botë ose agjentë për kërkim marketingu. Dhe kjo po mundëson këtë ndërthurje aftësish ndërmjet fushave të ndryshme si rezultat i adoptimit të kësaj teknologjie të AI”, tha ai.
Ai paralajmëroi edhe për sfidat që sjell përdorimi i AI-së, veçanërisht në rritjen e ngarkesës njohëse te punonjësit.
“Por gjithashtu po i zbeh kufijtë, në njëfarë mënyre, midis asaj që përbën punë dhe asaj që nuk përbën punë, që do të thotë se në një moment ju jeni pothuajse duke pritur që LLM ose AI të përfundojë atë që po bën, dhe pastaj duhet të merreni me diçka tjetër, gjë që çon në më shumë multitasking për ju, që në njëfarë mënyre ka një efekt negativ në ngarkesën tonë njohëse si njerëz, sepse po marrim gjithnjë e më shumë punë si rezultat i përdorimit dhe adoptimit të kësaj teknologjie, gjë që ndoshta nuk ishte qëllimi fillestar. Qëllimi, siç thonë shumë njerëz, është se po ju lirojmë nga detyrat e mërzitshme që zakonisht bënit dhe po ju mundësojmë të bëni detyra më kuptimplota. Por në praktikë, ajo që po ndodh është se njerëzit po marrin gjithnjë e më shumë punë si rezultat i adoptimit të kësaj AI, dhe kjo po rrit ngarkesën njohëse”, tha ai.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, theksoi se zhvillimet globale dhe transformimet në tregun e punës e bëjnë edhe më të rëndësishëm fokusin në talent.
“Ne po jetojmë në një kohë transformimi të thellë. Në të gjithë Evropën, shoqëritë po plaken. Tregjet e punës po ngushtohen. Teknologjitë, siç e dëgjuam në fjalimin e mëparshëm, po evoluojnë më shpejt sesa institucionet mund të përshtaten. Dhe në këtë moment, forca përcaktuese e çdo vendi nuk është më thjesht burimet e tij apo edhe gjeografia e tij. Është aftësia e tij për të tërhequr, zhvilluar dhe mbajtur talentin. Talenti është motori i konkurrueshmërisë. Dhe megjithatë, talenti nuk ekziston në izolim. Ai ekziston brenda sistemeve, brenda politikave, brenda vendeve të punës, dhe më e rëndësishmja, brenda zgjedhjeve. Nëse njerëzit mund të marrin pjesë plotësisht në fuqinë punëtore varet nga zgjedhjet që u ofrohen atyre. Dhe kjo është arsyeja pse përfshirja, barazia dhe mundësia nuk janë ideale abstrakte. Ato janë domosdoshmëri ekonomike. Këtu hyn në lojë partneriteti”, tha ai.


