Feri Idrizi priti delegacionin nga Komuna e Växjö të Suedisë, thekson bashkëpunimin 13-vjeçar

Prishtinë | 06 Maj 2026 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Feri Idrizi, ka pritur në takim një delegacion nga Komuna e Växjö të Suedisë, të udhëhequr nga nënkryetari Magnus Wahlin, deputeti Bo Frank, si dhe ekipet e përfshira në projektin e dixhitalizimit të arkivit dhe projektin e mësimit dual.

Idrizi ka bërë të ditur se bashkëpunimi mes dy komunave tashmë 13-vjeçar po vazhdon të japë rezultate konkrete për qytetarët.

“Sot pata kënaqësinë të pres në takim delegacionin nga Komuna e Växjö të Suedisë, nënkryetarin Magnus Wahlin, deputetin Bo Frank, si dhe ekipet e angazhuara në projektin e dixhitalizimit të arkivit dhe ekipin e projektit të mësimit dual”, ka shkruar Idrizi.

Ai theksoi se një nga projektet kryesore tashmë është përmbyllur me sukses.

“Projekti i dixhitalizimit të arkivave tashmë është përmbyllur me sukses, ndërsa po vazhdon me përkushtim implementimi i projektit të mësimit dual, që synon aftësimin e të rinjve për tregun e punës”, thuhet në postim.

Idrizi vlerësoi se ky bashkëpunim shërben si model i shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira ndërkomunale.

“Ky bashkëpunim mbetet një shembull i mirë i shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira mes dy komunave tona, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim, avancim profesional dhe forcim të lidhjeve ndërmjet komunave tona”, ka shkruar ai.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për partneritetin dhe theksoi gatishmërinë për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin.

“Mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbetemi të përkushtuar për thellimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy komunave”, thotë postimi i Idrizit.

Të ngjashme