Asociacioni i Komunave të Kosovës ka uruar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, pas ceremonisë së marrjes së flamurit të Lojërave Mesdhetare, duke e cilësuar këtë moment si një ngjarje me rëndësi të veçantë jo vetëm për kryeqytetin, por për të gjithë Kosovën.
Në një mesazh të publikuar nga Asociacioni, me në krye kryetarin Agim Aliu, thuhet se marrja e flamurit të Lojërave Mesdhetare përfaqëson një përgjegjësi të madhe, por njëkohësisht edhe një mundësi historike për Prishtinën dhe Kosovën.
“Urime kryetar Përparim Rama! Sot, Prishtina mori flamurin e Lojërave Mesdhetare, por krenaria është e gjithë Kosovës!”, thuhet në mesazhin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Sipas Asociacionit, organizimi i Lojërave Mesdhetare në kryeqytet është një mundësi që Kosova të dëshmojë para botës aftësinë për të mirëpritur dhe organizuar një ngjarje të madhe ndërkombëtare.
“Ky flamur simbolizon një përgjegjësi të madhe, por mbi të gjitha një mundësi historike që Prishtina dhe Kosova të dëshmojnë para botës se dinë të mirëpresin, të organizojnë dhe të shkëlqejnë”, thuhet në reagim.
Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka uruar kryetarit Rama suksese në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare, duke theksuar se Prishtina do ta ketë përkrahjen e të gjitha komunave të vendit.
“Kryetar Rama, Prishtina nuk do të jetë vetëm! Në këtë sfidë, Kryeqyteti dhe ju, kryetar Rama, do ta keni përkrahjen e të gjitha komunave të Kosovës”, thuhet më tej.
Në mesazh theksohet se Lojërat Mesdhetare nuk duhet të shihen vetëm si një ngjarje e kryeqytetit, por si një projekt i përbashkët i të gjitha komunave të Kosovës.
“Sepse këto nuk do të jenë vetëm Lojërat e Prishtinës, por do të jenë Lojërat e të gjitha komunave të Kosovës!”, thuhet në urimin e Asociacionit.
Në fund, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë thirrje që përmes kësaj ngjarjeje ndërkombëtare t’i prezantohet botës potenciali dhe mikpritja e Kosovës.
“Le t’i tregojmë Mesdheut dhe botës më të mirën e vendit tonë. Na keni bërë krenarë! Suksese Prishtinës! Suksese komunave të Kosovës! Suksese Republikës së Kosovës!”, përfundon mesazhi.