Qeveria e Serbisë ndan buxhet për organizatën e lidhur me krime lufte dhe vrasje politike

Prishtinë | 08 Maj 2026 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Serbisë, me para nga buxheti i shtetit, financon Shoqatën e Veteranëve “Beretat e Kuqe”, një organizatë që mbledh ish-pjesëtarët e njësisë speciale të shërbimit të sigurimit shtetëror, e cila është shpërbërë, dhe anëtarët e së cilës kanë qenë të përfshirë në krime lufte dhe janë dënuar për likuidime të kundërshtarëve politikë.

Sipas analizës së Radios Evropa e Lirë (REL), vetëm përmes konkurseve të Ministrisë për Punë, Punësim, Çështje të Veteranëve dhe Sociale, në dy vitet e fundit kësaj shoqate i janë ndarë 23 mijë euro.

Shoqata e veteranëve “Beretat e Kuqe” ka marrë mjete në të gjitha konkurset në fushën e mbrojtjes së veteranëve të realizuara nga Ministria e Punës që nga momenti kur në krye të këtij institucioni u emërua Milica Gjurgjeviq Stamenkovski.

Gjurgjeviq Stamenkovski është kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici” dhe u bë pjesë e pushtetit në vitin 2024, edhe pse partia e saj nuk e kaloi pragun zgjedhor në zgjedhjet e atij viti.

Nga Ministria e Punës nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it se për çfarë konkretisht janë shpenzuar mjetet e ndara dhe cili është interesi publik që me para buxhetore të financohen projektet e Shoqatës së Veteranëve “Beretat e Kuqe”.

Përgjigje nuk ka dhënë as Shoqata e Veteranëve “Beretat e Kuqe”.

“Kur merr një njësi të tillë dhe prej saj sërish krijon heronj, ndërsa dihet ‘rruga e tyre e luftës’, njeriu duhet të pyesë veten se çfarë vlerash po promovon kjo qeveri”, thotë për REL-in Filip Shvarm, redaktor kryesor i revistës “Vreme” dhe autor dokumentari për Njësinë për Operacione Speciale.

Kush ishin “Beretat e Kuqe”?

Njësia për Operacione Speciale, e njohur si “Beretat e Kuqe”, u themelua nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i udhëhequr nga Jovica Stanišić, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq. Dora e tij e djathtë ishte Franko Simatović.

Stanišić dhe Simatović u dënuan në Hagë në vitin 2023 me nga 15 vjet burg për mbështetje dhe ndihmë në krime lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1992.

Njësia për Operacione Speciale, nën këtë emër, ka marrë pjesë në luftën në Kosovë në vitet 1998–1999. Në atë kohë, Simatović emëroi komandant të JSO-së Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”.

JSO u shpërbë në vitin 2003 gjatë aksionit policor “Sablja”.

Disa nga anëtarët e saj janë dënuar për vrasje politike – përfshirë vrasjen e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq më 12 mars 2003, vrasjen e ish-presidentit të Presidencës së Serbisë, Ivan Stamboliq në gusht 2000, vrasjen e katër funksionarëve të Lëvizjes Serbe të Ripërtëritjes (SPO) në tetor 1999, si dhe tentativën për vrasjen e liderit të SPO-së, Vuk Drashkoviq në Budvë në vitin 2000.

Çfarë financon Ministria?

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve, Shoqata e Veteranëve “Beretat e Kuqe” është themeluar në vitin 2019.

Të dhënat publike tregojnë se shoqata ka pasur të ardhurat e para në vitin 2021, në vlerë prej 4.800 euro. Të ardhurat më të larta janë regjistruar në vitin 2024, në shumën 29.000 euro.

Nga Ministria për Punë, Punësim, Çështje të Veteranëve dhe Sociale, në vitet 2024 dhe 2025 kanë marrë nga 11.500 euro në vit, gjithsej 23.000 euro.

Të dhënat nuk tregojnë burime të tjera financimi.

Ministrja Milica Gjurgjeviq Stamenkovski ka miratuar financimin për organizimin e “Lojërave të Veteranëve”, si dhe projekteve “Pozita e veteranëve në shoqëri sot” dhe “Betimi i lirisë”.

“Lojërat e veteranëve” janë një garë sportive që organizohet çdo vit dhe që më herët është mbështetur edhe nga Qeveria e Vojvodinës.

Kush është në krye të shoqatës?

Përfaqësues ligjor i shoqatës është Zhivorad “Zhika” Ivanoviq, ish-anëtar i JSO-së.

Ai është përmendur edhe në gjykimin në Hagë ndaj ish-krerëve të shërbimit sekret serb, por ndaj tij nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor.

Veteranët në mbrojtje të pushtetit

Në mars 2025, Ivanoviq u shfaq në një kamp tendash në Pionirski Park në Beograd, ku ishin mbështetës të Partisë Progresive Serbe.

Sipas Shvarm, pjesëmarrja e tyre pranë përvjetorit të vrasjes së Gjingjiqit është “tepër problematike”.

Veteranët e JSO-së janë bërë pjesë e rregullt e aktiviteteve të partisë në pushtet në Serbi.

Në dhjetor 2025, ata morën pjesë në një takim në Ministrinë e Punës për “përmirësimin e pozitës së veteranëve”, ku u fotografuan me ministren.

Në aktivitetet e tyre kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë të shtetit dhe qeverisë. /REL

Të ngjashme