Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar Komunën e Klinës si një nga komunat ku, sipas tij, partia ka dëshmuar qeverisje të mirë dhe rezultate konkrete.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se besimi i qytetarëve në këtë komunë është ruajtur përmes punës dhe përkushtimit institucional.
“Klina është një nga komunat ku Aleanca ka dëshmuar qeverisje të mirë, punë konkrete dhe afërsi me qytetarin. Për mandate me radhë, besimi i qytetarëve është ruajtur përmes rezultateve dhe përkushtimit në shërbim të komunës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka njoftuar se Kuvendi i sotëm Zgjedhor i AAK-së në Klinë ka konfirmuar mbështetjen për udhëheqjen aktuale të degës.
“Edhe Kuvendi i sotëm Zgjedhor i Aleancës në Klinë e konfirmoi këtë besim, duke i dhënë mbështetje Prof. Zenun Elezaj për të vazhduar drejtimin e degës dhe rrugën e zhvillimit të komunës”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka uruar të zgjedhurit në strukturat drejtuese, duke veçuar përfshirjen e të rinjve.
“Urime kryetarit Zenun Elezaj dhe të gjithë të zgjedhurve në strukturat drejtuese të Aleancës. Vlerë e veçantë e këtij kuvendi ishte pjesëmarrja e madhe e kuadrove të reja, që po i japin energji të re Aleancës”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se Klina mbetet një bastion i fuqishëm i AAK-së.
“Klina mbetet një bastion i fuqishëm i Aleancës dhe një shembull i organizimit për fitoret që na presin”, ka përfunduar Haradinaj.