Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar gjendjen institucionale në Kosovë, duke thënë se vendi po udhëhiqet nga ushtrues detyre në pozitat kryesore shtetërore, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe ushtrimi i funksioneve me mandat të përkohshëm janë normalizuar në skenën politike të vendit.
“Pra jemi në fazën ku të shkosh në zgjedhjet jashtëzakonshme është krejt e zakonshme. Ku të qenurit në pozitë atë ushtruesit të detyrës nuk shihet më si problem substancial demokratik në Kosovë, por si pjesë normale e jetës kusinore institucionale. Siç thotë edhe vetë kundërshtari im politik, në një normalizim që tashmë tingëllon si vetëdije e re politike, unë mbetem si ushtrues detyre ama. Thuajse s’ka asgjë të parregullt me këtë konstatim. Por për Kosovën, gjendja e tanishme nuk ka qenë më rëndë se të ketë ushtrues detyre në çdo pozicion institucional. Ky ushtrues detyre nuk ka rëndësi tashmë është kryeministër, është kryetar kuvendi, a është president apo edhe trishtueshëm të tria të bashkërisht. Siç jemi sot për herë të parë në historinë politike të Republikës së Kosovës. Merreni me mend Kosova sot ka ushtrues detyre të kryetarit të kuvendit që ushtron detyrën e ushtruesit të presidentit të republikës”, tha ai.
Abdixhiku tha se LDK-ja ishte angazhuar në diskutimet për zgjedhjen e presidentit me qëllim shmangien e krizës institucionale dhe ruajtjen e stabilitetit politik.
“Shmangia e kësaj gjendjeje ka qenë motivi im dhe i LDK-së për të marrë pjesë në ciklin e gjatë të diskutimeve rreth presidentit, një cikël që dështoi pak javë më parë. LDK dhe unë jemi angazhuar për stabilitetin e vendit. Në një kohë tensionesh politike, ne zgjodhëm të sillemi si forcë shtetformuese, sepse na takon. LDK komunikoi me të gjithë, ofroi alternativa dhe ishte e gatshme për zgjidhje. Problemi ishte se përballë kishim një mendësi që kërkonte gjithçka, jo zgjidhje, kërkonte Qeverinë, Kuvendin dhe Presidentin. Kërkonte sistemin parti-shtet”, tha Abdixhiku.
