Real Madridi përfshihet nga skandali, Man Utd gati të përfitojë

Prishtinë | 10 Maj 2026 | 10:44 | Nga Ekonomia Online

Manchester United po monitoron nga afër zhvillimet rreth Aurelien Tchouameni, pasi mesfushori i Real Madrid u përfshi në një përplasje dramatike gjatë stërvitjes, që ka ngritur pikëpyetje të reja mbi të ardhmen e tij afatgjatë në “Santiago Bernabeu”.

United e ka ndjekur Tchouamenin në prag të afatit kalimtar veror dhe burime pranë klubit bëjnë të ditur se gjiganti anglez po pret të shohë nëse mund të përfitojë nga pasojat e konfliktit të tij me bashkëlojtarin Federico Valverde.

Reprezentuesi francez u përfshi këtë javë në një alterkim të ashpër gjatë stërvitjes. Valverde madje pati nevojë për trajtim spitalor pasi pësoi një goditje në kokë gjatë përplasjes mes dy lojtarëve.

E ardhmja e Tchouamenit në Madrid kishte qenë tashmë në dyshim dhe incidenti ka nxitur menjëherë spekulime të reja se njëri prej mesfushorëve mund të sakrifikohet gjatë verës.

Deri tani, Real Madridi është përpjekur ta mbajë situatën brenda klubit. Besohet se të dy lojtarët kanë zhvilluar bisedime pas incidentit dhe janë ndëshkuar financiarisht me nga 500 mijë euro secili. Megjithatë, nuk priten masa sportive ndaj tyre.

Koha e incidentit vjen në momentin më të papërshtatshëm për madrilenët, pasi sot përballen me FC Barcelona në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

Real Madridi duhet ta fitojë këtë sfidë për të penguar Barcelonën të shpallet kampione.

Ndërkohë, Manchester United po përgatitet për një rindërtim të madh të mesfushës gjatë verës dhe pritet të transferojë dy mesfushorë qendrorë. Kualifikimi në Ligën e Kampionëve do ta forconte ndjeshëm pozitën e klubit anglez në garën për objektiva elitare.

Tchouameni vazhdon të vlerësohet shumë në “Old Trafford” për shkak të cilësive të tij, profilit fizik dhe aftësisë për të kontrolluar lojën nga mesfusha. Futbollisti 26-vjeçar më herët ka lënë të kuptohet se do të ishte i hapur për të luajtur në Angli në një fazë të karrierës së tij.

Megjithatë, burimet insistojnë se përplasja me Valverden nuk do të thotë automatikisht se Tchouameni është në shitje.

Disa besojnë se situata mund të zhvillohet gjatë verës, por pozicioni aktual i Real Madridit është se incidenti nuk mjafton për të nxitur një largim dhe se klubi do ta zgjidhë çështjen pasi të emërojë trajnerin e ri.

Aktualisht, Jose Mourinho konsiderohet favorit për ta marrë drejtimin e Real Madridit para nisjes së sezonit të ardhshëm.

Të ngjashme