Organizata e Kombeve të Bashkuara ka mirëpritur njoftimin për një armëpushim tre-ditor mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve të luftës mes dy vendeve.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, deklaroi se armëpushimi i planifikuar nga 9 deri më 11 maj dhe shkëmbimi i madh i të burgosurve përbëjnë një zhvillim pozitiv në drejtim të uljes së tensioneve.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Donald Trump dhe përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për lehtësimin e arritjes së marrëveshjes mes palëve.
Guterres theksoi se OKB-ja vazhdon të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe të qëndrueshëm, duke e konsideruar atë si hapin e parë drejt një paqeje afatgjatë në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare.
Ndërkohë, nga pala amerikane është bërë e ditur se marrëveshja përfshin edhe shkëmbimin e rreth 1,000 të burgosurve nga secila anë, çka shihet si një nga marrëveshjet më të mëdha humanitare që nga fillimi i konfliktit.