Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të 7 qershorit. Në këtë periudhë vendimtare për të ardhmen e vendit, vëmendja nuk është vetëm tek rezultati zgjedhor, por edhe tek mënyra se si partitë politike do të veprojnë pas zgjedhjeve.
Profesori dhe eksperti amerikan i politikës së Jashtme, David Phillips në një prononcim për Front Online thekson se demokracia nuk matet vetëm me procesin e votimit, por edhe me aftësinë e liderëve politikë për kompromis, bashkëpunim dhe formim të institucioneve stabile në interes të qytetarëve.
Sipas tij, testi i vërtetë për Kosovën do të nisë pikërisht pas zgjedhjeve, kur subjektet politike duhet të dëshmojnë pjekuri dhe përgjegjësi shtetërore.
“Demokracia ka të bëjë me akomodimin e ndërsjellë. Votuesit mund të kërkojnë fitore në kutitë e votimit, por kur vjen puna te formimi i qeverisë, partitë politike duhet t’i lënë anash interesat e ngushta në shërbim të së mirës së përgjithshme”, ka deklaruar ai
Sipas profesorit amerikan David Phillips, formimi i institucioneve stabile do të jetë sfida kryesore pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai ka thënë se kompromisi dhe sakrifica politike janë elemente të domosdoshme për funksionimin demokratik të shtetit.
“Kjo kërkon pjekuri politike dhe sakrificë”, është shprehur Phillips, duke theksuar se interesat shtetërore duhet të jenë mbi ato partiake.
Phillips ka deklaruar se partnerët ndërkombëtarë dhe donatorët po e ndjekin me vëmendje zhvillimin politik në Kosovë para dhe pas zgjedhjeve.
“Donatorët dhe partnerët e sigurisë duan që elitat politike të Kosovës të tregojnë mençuri për të ndërmarrë hapa në avancimin e shoqërisë”, ka thënë ai.
Profesori vlerëson se sfida kryesore për Kosovën nuk do të jetë vetëm mbajtja e zgjedhjeve, por periudha që vjen më pas.
“Testi i rëndësishëm për Kosovën do të vijë pas zgjedhjeve”, ka deklaruar ai, duke aluduar në procesin e formimit të qeverisë dhe krijimit të institucioneve funksionale.