Pekini kundërshton sanksionet amerikane të lidhura me Iranin para samitit Trump-Xi

Prishtinë | 11 Maj 2026 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Pekini tha se kundërshton përfshirjen e entiteteve kineze dhe atyre nga Hong Kongu në rundin më të fundit të sanksioneve amerikane, që shënjestrojnë kompanitë që kanë lidhje me regjimin iranian, në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, po përgatitet të udhëtojë drejt Kinës që të takohet me udhëheqësin kinez, Xi Jinping.

Ky do të jetë samiti i parë Trump-Xi që nga viti 2017.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, u tha gazetarëve më 11 maj se Pekini “gjithmonë ka kërkuar që kompanitë kineze të zhvillojnë biznes në përputhje me ligjet dhe rregulloret”, duke shtuar se Kina “do t’i mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të ndërmarrjeve kineze”.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi më 8 maj sanksione ndaj dhjetë individëve dhe kompanive për “lehtësimin e përpjekjeve të ushtrisë iraniane për të siguruar armë”, si dhe lëndë të para që kanë përdorim ushtarak. Në shënjestër të sanksioneve është edhe një shtetas kinez dhe shtatë kompani kineze.

Uashingtoni dhe Teherani kanë këmbyer propozime për armëpushim për konfliktin e nisur më 28 shkurt, por palët ende nuk kanë arritur ndonjë përparim në bisedime, me Trumpin që e ka cilësuar përgjigjen e Iranit ndaj propozimit të fundit të SHBA-së si “plotësisht të papranueshëm”.

Rundi i fundit i sanksioneve vjen në një kohë kur Trump po udhëton për një vizitë të nivelit të lartë, e cila pritet të përfshijë bisedime të gjera strategjike që variojnë nga çështjet tregtare deri te lufta në Iran. Presidenti amerikan pritet të mbërrijë më 13 maj në Kinë dhe të zhvillojë bisedime dyditore më 14 dhe 15 maj.

Një zyrtar i lartë amerikan i tha agjencisë së lajmeve, Reuters më 11 maj se Trump dhe Xi ka të ngjarë që gjatë samitit të diskutojnë për mbështetjen e Pekinit për Iranin dhe Rusinë./REL

Të ngjashme