Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë të ditur se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me numrin 28 në listën e partisë.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi tha se renditja në listë ka rëndësinë e saj, por sipas tij më e rëndësishme mbetet besimi i qytetarëve dhe puna me përkushtim.
“Sot u publikuan numrat e kandidatëve në listën e Lidhja Demokratike e Kosovës. Renditja ka rëndësinë e saj, por besoj se në fund më e rëndësishmja është lidhja që krijohet me qytetarin, besimi që ndërtohet dhe puna që bëhet me përkushtim”, ka shkruar Gashi.
Ai theksoi se demokracia u jep qytetarëve mundësinë që të zgjedhin sipas bindjes së tyre për të ardhmen e Kosovës.
“Demokracia është e bukur sepse i jep secilit mundësinë të zgjedhë me bindje dhe me zemër për Kosovën që dëshiron të shohë nesër”, thuhet në postimin e tij.
Gashi konfirmoi se në këto zgjedhje do të mbajë numrin 28 në listën zgjedhore të LDK-së.
“Unë do të garoj me numrin 28. Me shpresë, me energji pozitive dhe me vullnet për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës sonë”, ka deklaruar ai.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë me bindje dhe besim.
“Voto me bindje. Zgjedh me besim. Vendos me shpresë. Na priftë e mbara!”, përfundoi Gashi.