Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në iniciativën “Kosovo Sings Freedom 250”, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane.
Në një mesazh në Facebook, ambasada vlerësoi kontributin e pjesëmarrësve, duke theksuar se muzika e tyre ndihmoi që ky përvjetor të shndërrohej në një festë mbarëkombëtare.
“Faleminderit, Kosovë! Faleminderit të gjithëve në mbarë Kosovën që morën pjesë në #KosovoSingsFreedom250. Muzika juaj ndihmoi në shndërrimin e 250-vjetorit të Amerikës në një festë mbarëkombëtare”, thuhet në mesazh.
Tutje, ambasada theksoi se përmes performancave dhe materialeve të dërguara është parë fuqia e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së, e shprehur përmes muzikës.
“Përmes aplikimeve tuaja, ne pamë forcën e partneritetit ShBA-Kosovë të shprehur në një mënyrë unikisht të fuqishme – përmes muzikës. Së bashku, ne festojmë 250 vjet të lirisë amerikane – dhe miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy kombeve tona”, thuhet më tej.
Ambasada gjithashtu bëri të ditur se mund të ketë aktivitete të tjera në vazhdim të kësaj nisme.
“Ju lutemi, vazhdoni të ndiqni njoftimet tona, pasi mund t’ju kontaktojmë për mundësi të tjera për ta vazhduar këtë festë”, përfundon mesazhi.