Konferencë shkencore ndërkombëtare për Ibrahim Rugovën, vlerësohet trashëgimia e tij politike dhe kulturore

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 09:52 | Nga Ekonomia Online

Në konferencën shkencore ndërkombëtare kushtuar presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, studiues, akademikë dhe personalitete të njohura vlerësuan figurën, veprën dhe trashëgiminë e tij politike e kulturore.

Gjatë kësaj konference u theksua roli i Rugovës në procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe ndikimi i tij në mendimin intelektual shqiptar, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, shkrimtari Sabri Hamiti theksoi rëndësinë e kësaj konference dhe figurës së Ibrahim Rugovës.

“Kjo konferencë mbahet në 20-vjetorin e kalimit të Rugovës në amshim, kohë e mjaftueshme për të vlerësuar shumëanshëm krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij 40 vjeçare, si dhe trashëgiminë e tij kulturore dhe politike në Kosovë dhe në botën shqiptare. Prania e dijetarëve dhe e njerëzve të shquar nga këtu dhe nga bota sot këtu, e përforcon besimin se do të kemi një kuvendim dituror që shënon një datë monumentale për kulturën dhe historinë e re shqiptare të Kosovës dhe të popullit të saj.

Oratorët e sotëm të brezave të ndryshëm, dijetarë, që vijnë nga Kosova, Shqipëria, Italia, Franca dhe Britania e Madhe, dëshmojnë vlerësimin për Ibrahim Rugovën: akademik, studiues, filozof i letërsisë, prijësi i popullit të Kosovës për liri, ati themeltar i pavarësisë së Kosovës, personalitet me përmasa ndërkombëtare. Aktet e kësaj konference shkencore ndërkombëtare do të botohen në një vëllim të veçantë në planet e botimeve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës brenda këtij viti”, tha ai.

Ndërsa Justina Shiroka-Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, vlerësoi kontributin e Rugovës.

“Në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ne nuk kujtojmë vetëm një njeri, por një epokë dhe një vizion. Ibrahim Rugova ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, studiues i letërsisë, i mendimit të kulturuar dhe personalitet me horizontin e gjerë evropian. Ai i takon atij brezi intelektualësh që e kuptuan se liria dhe shteti ndërtohet jo vetëm me forcë politike, por edhe me ide, me kulturë, me dije historike. Në periudhën më të rëndë dhe më të ndërlikuar për Kosovën, ai u shndërrua në zërin e popullit tonë dhe në simbol të rezistencës paqësore. Me urtësi, me vendosmëri dhe me besim në drejtësinë e kauzës sonë, ai arriti të bëjë çështjen e Kosovës pjesë të ndërgjegjes ndërkombëtare. Në kohë pasigurie, ai ofroi orientim. Në kohë trysnie, ai ofroi qetësi. Në kohë sprove, ai ofroi shpresë. Si presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova mbetet ndër figurat kyçe të shtetndërtimit tonë modern”, tha ajo.

Marenglen Verli nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë foli për rëndësinë e kujtimit të figurës së Rugovës.

“Ky takim i përbashkët i dy akademive tona është jo vetëm një akt kujtese dhe nderimi në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, por dhe dëshmi e vazhdimësisë së dialogut shkencor dhe kulturor mbarëkombëtar mbarëshqiptar, i cili mbështetet mbi figura që kanë ditur të bashkojnë mendimin kritik me përgjegjësinë historike. Ky përvjetor i 20-të i ndarjes së tij nga jeta na flet jo vetëm për të kujtuar një personalitet historik, por për të reflektuar mbi një trashëgimi të shumëfishtë që fillon me formimin e tij si studiues i letrave dhe kulmon me rolin e tij si prijës shtetformues. Rruga e Rugovës drejt këtij roli nisi herët në auditorët e Universitetit të Prishtinës, ku ai u formua në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në një kohë kur vetëdija kulturore dhe identitare ishte një formë e rëndësishme e afirmimit kolektiv.

Përvoja e tij studimore u thellua më tej në Paris, ku ai u njoh drejtpërdrejt me rrymat bashkëkohore të teorisë letrare evropiane nën ndikimin e mendimit kritik modern. Ky formim ndërkombëtar i dha atij një horizont të gjerë interpretues që do të reflektohej më pas në gjithë veprimtarinë e tij shkencore dhe publike.

Si studiues dhe kritik letrar, Rugova ndërtoi një profil të veçantë në kulturën shqiptare. Veprat e tij mbi kritikën letrare dhe teorinë e letërsisë, nga studimi mbi Pjetër Bogdanin deri te “Refleksione mbi traditën dhe modernitetin”, dëshmojnë për një mendje analitike dhe një përpjekje të vazhdueshme për ta vendosur kulturën shqiptare në dialog me zhvillimet evropiane. Në këtë kuptim, ai ishte jo vetëm interpretues i trashëgimisë, por dhe ndërtues i një paradigme të re të mendimit kritik”, tha ai.

Të ngjashme