Rrethimi psikopolitik i Kosovës nga Serbia me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 10:19 | Nga Gurakuç Kuçi

Serbia po nxit gradualisht qytetarët e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut kundër Kosovës, me synimin që këtë frymë, si pjesë të komunikimit të saj strategjik, ta shtrijë edhe në nivel institucional dhe shtetëror. Kjo frymë nuk po mbetet vetëm në margjina politike apo brenda grupeve nacionaliste, por po manifestohet edhe në komuna, parti parlamentare dhe figura të larta shtetërore që kanë histori të qartë kundërshtimi ndaj Kosovës.

Ky nuk është vetëm një proces propagandistik. Bëhet fjalë për një përpjekje të organizuar për të prodhuar armiqësi shoqërore, për ta shndërruar atë në klimë politike dhe më pas për ta përkthyer në qëndrime institucionale kundër Kosovës. Në këtë mënyrë, kontestimi i Kosovës synon të mos paraqitet më vetëm si qëndrim zyrtar i Serbisë, por si “vullnet” i qytetarëve dhe institucioneve në vendet fqinje.

Zeta si precedent politik

Më 12 maj, në ditën e festës së Shën Vasilit — një figurë me rëndësi të veçantë për ortodoksët serbë dhe malazezë — Komuna e Zetës në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Popullore Demokratike, mori një vendim simbolik për “anulimin” e njohjes së Kosovës.

Ky vendim erdhi pas një mitingu të organizuar më 10 maj nga kjo parti, i udhëhequr nga deputeti malazez Milan Knezheviq, ku u paralajmërua lobim për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Në retorikën e tij nacionaliste, Knezheviq deklaroi se Mali i Zi duhet të largohet nga “kolonializmi” dhe të rikthehet te “rrënjët e Njegoshit”.

Në aspektin juridik, vendimi i Zetës është pa efekt, pasi komunat nuk kanë kompetencë për njohjen ose tërheqjen e njohjes së shteteve. Megjithatë, pikërisht këtu qëndron thelbi i çështjes: synimi nuk është juridik, por politik, psikologjik dhe simbolik.

Zeta nuk mund ta ndryshojë statusin e Kosovës, por mund të krijojë precedent politik. Ajo mund të testojë reagimin e Podgoricës, të opinionit publik, të aktorëve ndërkombëtarë dhe të komunave të tjera ku partitë pro-serbe kanë ndikim. Për këtë arsye, ky rast nuk duhet parë si një vendim i zakonshëm komunal, por si një test i eksportimit të kontestimit serb ndaj Kosovës në institucionet lokale të vendeve fqinje.

Kemi të bëjmë me një model tipik të luftës hibride: fillimisht ndërtohet narrativa, më pas prodhohet emocioni kolektiv dhe ai emocion futet në religjion, histori, sport, festivale, grafite dhe tubime politike. Në fund, një aktor lokal e shndërron këtë klimë në akt institucional, edhe kur ai akt nuk ka fuqi juridike.

Mali i Zi si hapësirë e rikonfigurimit serb

Qëllimi strategjik është që te popullsia malazeze të nxitet urrejtje ndaj Kosovës dhe simpati ndaj narrativës pro-serbe përmes religjionit, nacionalizmit, historisë dhe identitetit.

Pas zgjedhjeve të vitit 2020 dhe ndryshimeve politike në Mal të Zi, është vërejtur një forcim gradual i ndikimit të partive pro-serbe dhe pro-ruse. Në këtë kontekst nuk është rastësi as instrumentalizimi i censusit, ku përmes fushatave politike, kishtare dhe identitare është tentuar ndryshimi i raportit të deklarimit kombëtar në favor të identitetit serb.

Këtë fenomen e kam trajtuar më gjerësisht në punimin tim “Geopolitical Risks and Reconfigurations: Serbia and the Challenge to Montenegro’s Stability”, ku argumentoj se Serbia synon ta përdorë Malin e Zi si hapësirë për rikonfigurimin e ndikimit të saj rajonal.

Serbia nuk e sheh Malin e Zi vetëm si shtet fqinj, por si një hapësirë të humbur strategjike, identitare dhe gjeopolitike. Për Beogradin, humbja e Malit të Zi nënkupton humbje të daljes në det, të thellësisë strategjike dhe të një pjese të rëndësishme të narrativës historike mbi ortodoksinë, sllavizmin dhe trashëgiminë politike të rajonit.

Pikërisht për këtë arsye, Kosova përdoret në Mal të Zi jo vetëm si çështje e politikës së jashtme, por edhe si instrument për riorientimin e identitetit politik të vetë Malit të Zi. Referimi i Knezheviqit te Njegoshi tejkalon retorikën historike dhe hyn drejtpërdrejt në projektin politik identitar.

Përmes figurave si Njegoshi, Kishës Ortodokse Serbe, Shën Vasilit dhe simboleve të tjera fetare e historike, synohet të ndërtohet një vijë ideologjike ku Mali i Zi paraqitet si pjesë e “botës serbe” dhe jo si shtet qytetar, i pavarur dhe euroatlantik.

Rrethi i komunave pro-serbe

Rasti i Zetës lidhet drejtpërdrejt me përpjekjen për krijimin e një rrethi komunash, strukturash dhe aktorësh pro-serbë brenda Malit të Zi. Ky projekt nuk ka nevojë të shpallet menjëherë në mënyrë formale. Ai mund të ndërtohet gradualisht përmes komunave, partive politike, kishës, mediave, censusit, narrativave historike dhe mobilizimit lokal.

Fillimisht krijohen “ishuj politikë” pro-serbë. Më pas, këta ishuj lidhen mes vete dhe gradualisht mund të përdoren si bazë për kërkesa më të mëdha politike, si:

  • zgjerimi i kompetencave lokale,
  • autonomi politike,
  • asociacion komunash,
  • federalizim,
  • referendum,
  • ose presion ndaj qeverisë qendrore.

Kjo logjikë bëhet edhe më serioze kur shihet se fryma anti-Kosovë nuk kufizohet vetëm te komunat apo te aktorët lokalë si Zeta dhe Knezheviq. Ajo ka depërtuar edhe në nivelet më të larta institucionale të Malit të Zi.

Kryetari aktual i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka qenë ndër kundërshtarët më të ashpër të njohjes së Kosovës nga Mali i Zi. Qëndrimet e tij anti-Kosovë nuk kanë mbetur vetëm në nivel retorik opozitar. Sot ai udhëheq institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit dhe është pjesë e arkitekturës së sigurisë së vendit.

Kjo tregon se kemi të bëjmë me një zinxhir politik, institucional dhe komunikues, e jo me incidente të izoluara. Komunat shërbejnë si terren testimi, partitë pro-serbe si mekanizëm mobilizimi, ndërsa institucionet qendrore si hapësirë potenciale për ta shndërruar këtë klimë në presion shtetëror.

Në këtë zinxhir, Zeta dhe Knezheviqi funksionojnë si leva lokale të agjendës së “Botës Serbe”, ndërsa Mandiqi dëshmon depërtimin e kësaj fryme në nivelin qendror institucional. Prandaj, problemi nuk është vetëm vendimi i Zetës si dokument, por Zeta si laborator politik.

Maqedonia e Veriut dhe normalizimi i urrejtjes

E njëjta logjikë është vërejtur edhe në Maqedoninë e Veriut. Në janar 2026, rasti i Vevçanit tregoi se si narrativa nacional-shoviniste serbe po depërton në hapësira kulturore, festive dhe lokale.

Më 16 janar kam argumentuar se ky rast përfaqëson një fazë të presionit psikologjik dhe shoqëror të luftës hibride, ku synimi nuk është domosdoshmërisht eskalimi i menjëhershëm, por normalizimi gradual i diskursit të urrejtjes dhe konfliktit.

Në Maqedoninë e Veriut janë dëgjuar edhe thirrje të hapura anti-shqiptare në ngjarje sportive, përfshirë slogane si “Vritni shqiptarët”. Këto mesazhe nuk duhet të trajtohen si incidente të izoluara, sepse ato përsëriten në forma të ndryshme në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe në hapësira të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Një grafit mund të konsiderohet incident. Një thirrje në stadium mund të paraqitet si incident. Një karnaval mund të justifikohet si satirë. Një vendim komunal mund të duket absurd. Por kur të gjitha këto përsëriten në vende të ndryshme dhe ndjekin të njëjtën logjikë anti-Kosovë dhe anti-shqiptare, atëherë nuk kemi më të bëjmë me raste të izoluara, por me një model të organizuar veprimi.

Rrethimi psikopolitik

Të gjitha këto raste tregojnë se Serbia po vepron në mënyrë shumëvektoriale. Ajo përdor nacionalizmin, religjionin, sportin, grafitet, festivalet, komunat dhe aktorët politikë për të krijuar një mendësi anti-Kosovë në rajon.

Synimi është që fillimisht të prodhohet presion shoqëror, më pas të krijohet klimë politike dhe, në fund, kjo klimë të përkthehet në qëndrime institucionale kundër Kosovës.

Prandaj, kemi të bëjmë me një formë të rrethimit psikopolitik ndaj Kosovës. Nuk është rrethim klasik ushtarak, por një rrethim i ndërtuar përmes prodhimit të armiqësisë në shoqëritë përreth saj.

Qëllimi është që Kosova të mos përballet vetëm me kontestimin shtetëror të Serbisë, por edhe me një klimë të fabrikuar armiqësore në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

Kjo strategji i shërben Serbisë në disa drejtime:

  • relativizon rolin agresiv të Beogradit,
  • e paraqet çështjen si “pakënaqësi rajonale” ndaj Kosovës,
  • krijon presion mbi qeveritë fqinje që të mos e mbështesin fuqishëm Kosovën,
  • dhe i siguron Serbisë material propagandistik e diplomatik për ta paraqitur Kosovën si faktor destabilizues.

Ndërkohë, vetë Serbia synon të paraqitet si shtet që “menaxhon shqetësimet” e serbëve dhe aleatëve të saj në rajon.

Prandaj, Zeta dhe Knezheviqi nuk përfaqësojnë fillimin e kësaj strategjie, por aktivizimin e saj në formë të hapur politike. Juridikisht, efekti i veprimit të Komunës së Zetës është zero. Politikisht dhe psikologjikisht, megjithatë, efekti është real.

Ky është evoluimi tipik i luftës hibride: nga narrativa në emocion, nga emocioni në mobilizim, nga mobilizimi në akt lokal dhe nga akti lokal në presion institucional. Nëse ky model nuk identifikohet dhe nuk kundërshtohet herët, ai mund të shndërrohet në një zinxhir politik rajonal kundër Kosovës.

Të ngjashme