Midis heshtjes së politikës dhe zërit të një brezi të ri

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 10:52 | Nga Skender Asani

Në historinë bashkëkohore politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, rrallëherë kanë ekzistuar momente kaq dramatike, kaq të ngarkuara me ankth kolektiv dhe njëkohësisht me shpresë të heshtur, sa situata aktuale e krijuar nga lëvizja studentore shqiptare. Në një kohë të karakterizuar nga paraliza e mekanizmave institucionalë, nga natyra vetëshkatërruese e politikës shqiptare përmes rivaliteteve të pafrytshme dhe nga zbehja graduale e frymës së Marrëveshjes së Ohrit si pasojë e manovrimeve të pandërprera politike, studentët janë shfaqur si bastioni i fundit i ndërgjegjes publike të një populli që refuzon ta pranojë erozionin e heshtur të pozitës së tij kushtetuese dhe historike.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ishte thjesht një kompromis politik i lindur nga zhvillimet e vitit 2001. Ajo përfaqësonte marrëveshjen etike dhe juridike mbi të cilën u rindërtuan paqja, stabiliteti dhe struktura multietnike e shtetit. Shqiptarët e pranuan atë jo sepse aspiratat e tyre historike u përmbushën plotësisht, por sepse besuan se do të hapej një epokë e re bashkëndërtimi shtetëror, ku ata do të trajtoheshin si pjesë përbërëse e shtetit dhe jo si periferi politike e varur nga nevojat kalimtare të pushtetit.

Megjithatë, tragjedia politike e dy dekadave të fundit qëndron pikërisht në erozionin gradual të thelbit transformues të kësaj marrëveshjeje. Procesi i paraparë për konsolidimin e barazisë kushtetuese u shndërrua në një administrim teknik të pafund, ku zbatimi përdorej më shumë si instrument shtyrjeje sesa si mekanizëm realizimi. Në vend të ndërtimit të një kulture të re politike mbi pronësinë e përbashkët të shtetit, u krijua një logjikë e vazhdueshme relativizimi të të drejtave shqiptare.

Ky degradim nuk buron vetëm nga taktikat e burokracisë maqedonase. Një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë historike bie edhe mbi partitë politike shqiptare, të cilat gradualisht dështuan ta konceptojnë çështjen shqiptare si projekt strategjik kombëtar. Politika u reduktua në administrim pushteti, ndërsa parimet e barazisë reale u zëvendësuan me retorikë elektorale dhe kalkulime afatshkurtra. Klasa politike shqiptare krijoi kështu një paradoks të thellë: zyrtarisht mbetet pjesë e qeverisjes, por në mënyrë progresive po humb ndikimin mbi drejtimin politik të shtetit.

Në këtë boshllëk të madh moral dhe institucional hyn tani brezi i ri shqiptar. Studentët nuk protestojnë vetëm për një çështje administrative apo sociale. Ata po artikulojnë një krizë shumë më të thellë: humbjen e besimit në politikën përfaqësuese shqiptare dhe deformimin gradual të idesë mbi të cilën u ndërtua paqja pas konfliktit në shtet. Pas shumë vitesh, në diskursin publik rikthehet pyetja themelore që politika kishte hezituar ta artikulonte: çfarë ka mbetur nga vizioni për barazi, bashkëjetesë dhe partneritet shtetformues mbi të cilin u ndërtua Marrëveshja e Ohrit?

Pikërisht për këtë arsye protestat studentore kanë prodhuar një reagim emocional kolektiv që tejkalon shumë kërkesat e tyre konkrete. Shqiptarët i panë studentët jo vetëm si protestues, por si pasqyrim të identitetit të tyre politik të zbehur. Ata shohin një brez që beson se dinjiteti kolektiv nuk duhet të jetë objekt negociatash të përhershme dhe se statusi kushtetues i shqiptarëve nuk mund të trajtohet si koncesion politik i përkohshëm. Në një ambient të mbushur me zhgënjim, ankth dhe lodhje historike, studentët janë shndërruar në simbolin e fundit të shpresës.

Në këtë kuptim, kundërshtimi i tyre merr pothuajse përmasa historike. Ai përfaqëson kryengritjen etike të një brezi që refuzon të pranojë heshtjen politike të elitave të lodhura. Përbën refuzim të normalizimit të degradimit institucional. Është një thirrje kundër përçarjes së brendshme shqiptare. Është revoltë ndaj një kulture politike që prej vitesh ka zëvendësuar strategjinë kombëtare me improvizime të përditshme. Dhe mbi të gjitha, është rikthimi i vetëdijes kolektive në një kohë kur politika kishte filluar ta humbiste kujtesën historike.

Në historinë shqiptare, studentët kanë qenë shpesh në vijën e parë të lëvizjeve kombëtare dhe demokratike. Edhe sot ata rikujtojnë një të vërtetë të vjetër politike: popujt nuk i humbin fillimisht të drejtat përmes dhunës, por përmes normalizimit të heshtjes. Reagimi i tyre nuk duhet parë si destabilizim i rendit demokratik, por si përpjekja e fundit për ta ruajtur substancën demokratike të shtetit nga degradimi moral dhe institucional.

Në kushtet e rikthimit të gjuhës nacionaliste në diskursin politik të qeverisë së Hristijan Mickoskit, lëvizja studentore po merr dimensionin e një paralajmërimi historik. Zbehja e vazhdueshme e statusit kushtetues të shqiptarëve nuk përbën më vetëm një çështje etnike, por edhe rrezik për stabilitetin demokratik dhe orientimin euro-atlantik të shtetit. Për dekada me radhë, shqiptarët kanë qenë mbështetësit më konsekuentë të orientimit perëndimor, evropian dhe të NATO-s në vend. Margjinalizimi i tyre prodhon jo vetëm padrejtësi të brendshme, por edhe dobësim të themeleve strategjike mbi të cilat ndërtohet orientimi ndërkombëtar i shtetit.

Deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, në thelbin e tyre politik dhe semantik, nuk përfaqësojnë vetëm një thirrje për durim institucional, por edhe një përpjekje për të disiplinuar energjinë qytetare dhe për ta zhvendosur diskursin nga substanca e të drejtave të garantuara drejt kompleksitetit të interpretimeve procedurale. Pikërisht në momentin kur ai u bën thirrje studentëve shqiptarë të përmbahen nga protestat, ndërsa paralelisht kushtëzon zgjidhjen me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare, krijohet një paradoks politik: një e drejtë që buron nga vetë rendi kushtetues trajtohet sikur të ishte objekt negocimi administrativ.

Kjo strategji synon ta zbehë frymën emancipuese të protestave studentore, duke e shndërruar një reagim legjitim qytetar në një proces pritjeje burokratike. Megjithatë, vetëdija kolektive e studentëve shqiptarë tashmë e ka tejkaluar këtë kurth diskursiv, pasi ata kanë deklaruar qartë se të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe me vetë parimet themelore mbi të cilat pretendon të ndërtohet shteti demokratik i Maqedonisë së Veriut janë të panegociueshme. Për pasojë, protesta e tyre nuk paraqet sfidë ndaj sundimit të ligjit, por rikujtim se ligji e humb autoritetin e tij moral atëherë kur zbatohet në mënyrë selektive dhe kur barazia mbetet vetëm një formulë retorike.

Në këtë kontekst, mobilizimi studentor nuk përfaqëson tension të fabrikuar, siç përpiqen ta paraqesin narrativat qeveritare, por shprehjen e një vetëdijeje politike që refuzon ta pranojë heshtjen si nënshtrim dhe pasivitetin si zëvendësim të së drejtës.

Megjithatë, në këtë atmosferë të rënduar politike, protestat studentore kanë rikthyer një ndjenjë pothuajse të shuar: bindjen se shoqëria ende ka aftësi të reagojë. Në krizat e mëdha historike, shpesh nuk janë institucionet ato që mbajnë gjallë frymën e një populli, por brezat që refuzojnë t’i nënshtrohen frikës dhe nënshtrimit. Studentët shqiptarë të sotëm po e kryejnë pikërisht këtë rol — jo si elitë politike, por si ndërgjegjja etike e një kombi që përpiqet të ruajë identitetin e vet.

Kjo lëvizje përcjell një mesazh thelbësor: kur politika bëhet e shkretë, kur institucionet harrojnë drejtësinë dhe kur kompromiset prodhojnë vetëm heshtje, historia shpesh zgjedh studentët për ta zgjuar ndërgjegjen e përbashkët.

Të ngjashme