Ish-deputeti i PDK-së, Arian Tahiri ka reaguar pas incidentit dhe përplasjes që ndodhi në Skenderaj ndërmjet Sami Lushtaku dhe Hysni Mehani, duke bërë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi institucionale.
Tahiri ka theksuar se Skenderaj mbetet simbol i krenarisë, qëndresës dhe sakrificës së popullit shqiptar, duke nënvizuar se politika duhet të shërbejë si urë bashkimi dhe jo si shkak për ndasi mes qytetarëve.
“Në zemër të Drenicës, në Skenderaj, në vendin e krenarisë, qëndresës dhe mikpritjes, ku çdo rrugë mban gjurmët e vuajtjeve dhe sakrificës shekullore të popullit tonë”, ka shkruar ai.
“Politika duhet t’i bashkojë njerëzit rreth mundësive më të mira për të gjithë, e jo të krijojë përçarje dhe urrejtje. Propaganda, linçimet dhe ofendimet nuk i duhen shoqërisë sonë, aq më pak të ardhmes së Kosovës”, thuhet në reagimin e tij.