Drake publikon tri albume të reja, rikthen rivalitetin me Kendrick Lamar

Prishtinë | 15 Maj 2026 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Reperi kanadez Drake ka publikuar befasisht tri projekte muzikore njëherësh – “Iceman”, “Habibti” dhe “Maid of Honor” – duke sjellë gjithsej 43 këngë të reja. Sipas raportimeve të BBC, fansat prisnin vetëm albumin “Iceman”, por artisti surprizoi me edhe dy projekte shtesë.

Albumet sjellin stile të ndryshme muzikore: “Iceman” dominohet nga rapi dhe hip-hopi, “Habibti” anon më shumë nga R&B, ndërsa “Maid of Honor” ka ndikime dance. Në këto projekte përfshihen edhe bashkëpunime me artistë si Central Cee, 21 Savage dhe PARTYNEXTDOOR.

Publikimet janë të parat e Drake pas përplasjes së bujshme me Kendrick Lamar në vitin 2024, konflikt që duket se reflektohet edhe në disa prej teksteve të reja. Në disa vargje, reperi lë të kuptohet se kritikon rivalin për mënyrën si e përdor imazhin e vendlindjes së tij, Comptonit.

Në këngën “Make Them Cry”, Drake duket se flet edhe për presionin emocional që përjetoi gjatë konfliktit publik, duke përmendur izolimin dhe ndikimin në shëndetin mendor. Ai prek edhe raportet me figura të tjera publike që u rreshtuan në anën e Lamarit, përfshirë basketbollistin LeBron James.

Lansimi i albumeve u shoqërua me promovime të pazakonta. Drake publikoi fragmente të projektit përmes transmetimeve live dhe la të kuptohej për një “lansim të trefishtë” duke shfaqur tri harddisqe në fund të episodit të fundit promovues. Ai gjithashtu organizoi instalacione me akull në Toronto për të paralajmëruar publikimin e “Iceman”.

Të ngjashme