Kurbat e demografisë shqiptare kanë shënuar një pikë kthese kritike në fillim të këtij viti. Shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) konfirmojnë tkurrjen natyrore të popullsisë. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, në Shqipëri janë regjistruar më shumë humbje jete sesa lindje të reja, duke e futur shtesën natyrore në territor negativ. Ky tregues vjen si një sinjal alarmi pas një viti 2025 që kishte paralajmëruar rënien e thellë të numrit të foshnjave të lindura.Të dhënat tregojnë se nga janari në mars 2026, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi negative me 368 vdekje më shumë se lindje. Gjatë kësaj periudhe, në jetë erdhën 5.146 foshnje, ndërsa u regjistruan 5.514 vdekje, shkruan rtsh.al, raporton KlanKosova.tv.
Ndonëse numri i lindjeve shënoi një rritje të lehtë prej 1,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, dhe vdekjet ranë me 7,4%, bilanci i përgjithshëm mbetet në disavantazh të jetës së re.Bilanci i vitit 2025, rënie në të dyja frontet
Viti i kaluar, 2025, ndonëse u mbyll me një shtesë natyrore pozitive (+1.147 lindje më shumë se vdekje), konfirmoi një rënie të ndjeshme në krahasim me vitin 2024. Gjatë gjithë vitit u regjistruan 22.541 lindje (një rënie prej 3,3%) dhe 21.394 vdekje (një rënie prej 3,2%).
Harta demografike e vendit tregon një polarizim të theksuar mes kryeqytetit dhe qarqeve të tjera. Tirana mbetet “motori” i vetëm demografik, duke mbajtur peshën kryesore të lindjeve.