Lufta boshatis fabrikat: Rusia dhe Ukraina importojnë punëtorë nga Azia Jugore

Prishtinë | 17 Maj 2026 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Banorët e një kompleksi banesor në qytetin perëndimor ukrainas të Ivano-Frankivskit së voni pranuan një mesazh të pazakontë.

“Duke nisur nga e hëna, 4 maj, territori i kompleksit tuaj banesor do të pastrohet nga punëtorët emigrantë nga India”, njoftoi kompania që qëndron pas ndërtimit të këtij kompleksi, duke shtuar se “kompania jonë u detyrua ta ndërmarrë këtë hap për shkak të mungesës kritike të punëtorëve”.

Njoftimi shpejt u shpërnda në mediat lokale, ku reagimet ishin jashtëzakonisht negative. “Djemtë thanë po vriten në front, kombi po shkatërrohet qëllimshëm dhe këta [shtetas indianë] po vijnë te ne”, shkroi një grua në seksionin e komenteve në postimin e një artikulli lidhur me punëtorët indianë.

Situata të ngjashme janë shfaqur në mbarë Ukrainën, përfshirë në rajonin Zakarpatia, ku një fabrikë e përpunimit të drurit së voni punësoi 150 punëtorë nga Bangladeshi. Në Çerkasi, një numër i paspecifikuar i shtetasve të huaj pritet të nisin punën në një projekt për ndërtimin e një rruge në këtë qytet ukrainas, që gjendet në pjesën qendrore të shtetit.

“Çështja e tërheqjes së punëtorëve të huaj gradualisht po zhvendoset nga diskutimi teorik në atë praktik”, tha për Radion Evropa e Lirë Vasyl Voskoboynyk, udhëheqës i Zyrës për Politika Migratore të Ukrainës.

Eksperti i migracionit theksoi se numri i përgjithshëm i punëtorëve të huaj në Ukrainë ishte në më pak se 22.000 të regjistruar në vend para se të niste lufta dhe eksodit të mëvonshëm që pasoi nga vendi. Por, Voskoboynyk vlerësoi se rreth 30 për qind e vendeve të punës në mbarë vendin mbeten të paplotësuara.

Në mes të luftës që po vazhdon, gratë në Ukrainë kanë marrë shumë pozita që tradicionalisht konsideroheshin si punë e burrave, por disa punë që janë fizikisht të rënda mbeten vështirë që të mbushen me punëtore gra.

Kriza e fuqisë punëtore në Ukrainë nisi me largimin e miliona njerëzve në ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kriza ekonomike e vendit u përkeqësua nga rekrutimet gjithnjë e më të mëdha ushtarake dhe nga një ligj i vitit 2025 që lejon burrat e moshës 18 deri në 22 vjeç që të largohen nga vendi.

Të ngjashme