Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se modeli ekonomik i Albin Kurtit nuk po funksionin.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Rukiqi ka shkruar se qëllimi i Kurtit nuk është zhvillimi ekonomik afatgjatë, por krijimi i varësisë së qytetarëve dhe bizneseve nga shteti dhe nga mëshira e pushtetit.
Sipas tij, Kosovës i duhet model zhvillimor.
Postimi i tij i plotë:
Modeli ekonomik i Kurtit nuk po funksionon.
* Qindra milionë të shpërndara
* Rritja e pagës minimale
* Rroga e 13-të
Prapë jemi vendi më i varfër në Evropë, përjashto Ukrainën që është në luftë.
Pse nuk funksionon ky model?
Sepse çdo masë e Kurtit: ndihma, subvencione e pako sociale nuk e nxjerr askënd nga varfëria. Vetëm e menaxhon varfërinë. Njësoj si antibiotiku: i menaxhon simptomat, por nuk krijon imunitet të qëndrueshëm.
Dhe problemi kryesor është se ky duket të mos jetë dështim aksidental dhe i paaftësisë, por logjikë politike dhe mjet politik.
Qëllimi i Kurtit nuk është zhvillimi ekonomik afatgjatë, por krijimi i varësisë së qytetarëve dhe bizneseve nga shteti dhe nga mëshira e pushtetit.
Sa më i varur qytetari nga subvencioni, ndihma apo favori i qeverisë, aq më i lehtë bëhet kontrolli politik mbi të.
Kosovës i duhet krejt tjetër model. I duhet model zhvillimor me:
* Investime të mëdha kapitale
* Nxitje e ndërmarrësisë dhe inovacionit
* Investime në AI dhe teknologji
* Zëvendësim i importeve me prodhim vendor
* Mbështetje për eksportin dhe industrinë prodhuese
Këto politika i fusin njerëzit në punë, i bëjnë më produktivë dhe krijojnë ekonomi që prodhon mirëqenie reale.
Një shtet serioz nuk i mban qytetarët në varfëri të menaxhuar. I fuqizon që të mos kenë nevojë për mëshirën e pushtetit