G7 mbledhje ne Paris, pritet të diskutohet për luftën në Ukrainë dhe Iran

Prishtinë | 18 Maj 2026 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Ministrat e financave të shtatë vendeve pritet të zhvillojnë diskutime të rëndësishme lidhur me konfliktet në Iran dhe Ukrainë gjatë takimit të G7 që po mbahet në Paris të Francës.

Lajmin e ka konfirmuar komisioneri evropian për ekonomi, Valdis Dombrovskis, i cili tha se situata e sigurisë globale dhe ndikimi ekonomik i krizave aktuale do të jenë në qendër të agjendës së takimit, raporton The New York Times, transmeton Klankosova.tv.

Një ndër temat kryesore do të jetë edhe nevoja për rihapjen sa më të shpejtë të Ngushticës së Hormuzit, pasi Irani vendosi ta mbyllë këtë rrugë strategjike ujore pas konfliktit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët e G7 konsiderojnë se mbyllja e kësaj pike kyçe detare po ndikon drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë dhe në stabilitetin ekonomik ndërkombëtar.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se do t’u kërkojë vendeve partnere që të vazhdojnë me sanksione të ashpra ndaj Iranit, me synimin për të ndaluar financimin e asaj që ai e quajti “makineria e luftës” së Iranit.

Kujtojmë që G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në takim marrin pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Të ngjashme