“Ka marrëveshje për provimin e jurisprudencës”, Mexhiti thotë se çështja zgjidhet brenda 3 muajve, Ajdari shprehet skeptike

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Brenda tre muajve pritet të zgjidhet problemi me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Këtë e deklaroi për euronews kryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili gjatë ditës bashkë me Kasamin zhvilluan takim me kryeministrin Hristijan Miskoski. Sipas Mexhitiit ka marrëveshje për kërkesën e studentëve.

“Ashtu siç i kemi zgjidhur këto dikastere, do të vazhdojmë me provimin e jurisprudencës që është kërkesë e studentëve, por jo vetëm te jurisprudenca, ne kemi rënë dakord që ligji i gjuhëve të zbatohet edhe në fusha tjera ku ka të bëjë me provime profesionale apo me licenca që duhet të merren.  Ju e keni kërkuar por çfarë është thënë? Nuk kemi kërkuar jemi marrë vesh, jemi dakorduar, është deklaratë e përbashkët e kryeministrit dhe dy partnerëve qeverisës VMRO dhe VLEN.  Pa një afat? Le të jetë një afat tre mujor sepse ka procedurë duhet të bëhet propozim ndryshim të ligjit, duhet të kaloi në Qeveri duhet të kaloi në Parlament”, tha Izet Mexhiti – Kryetar i VLEN.

Deputetja e FE Rina Ajdari shpreh mosbesim ndaj zgjidhjeve që mund të propozojë qeveria duke nënkuptuar se mund të sjellin procedura të panevojshme ose të komplikuara. Ligji për përdorimin e gjuhëve tashmë e garanton përdorimin e shqipes, thotë ajo.

“Realisht nuk e di se me çfarë zgjidhje do të vijnë, se me çfarë perle do të vijnë… ja një shembull konkret po ua jap, dje arriti në Kuvend materiali për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ishte skandaloz, besoj se në këtë vijë do të jetë edhe zgjidhja sepse nuk ka nevojë në këtë rast për një zgjidhje, vetëm do të komplikohet puna, do të komplikohet procedura. Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë, kushtetuta është shumë e qartë dhe vetëm duhet të zbatohet, pra Ministri i drejtësisë duhet vetëm ta rregulloj që studentët të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe”, tha Rina Ajdari – gp “Fronti Europian”.

Ndërkohë, studentët kërkojnë që e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe të mos mbetet vetëm premtim politik, por të zbatohet sa më shpejt në praktikë, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë reagimet publike deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Të ngjashme