Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka deklaruar se Moska disponon informacione sipas të cilave Ukraina po planifikon të lëshojë dronë ushtarakë nga Letonia dhe vende të tjera të Baltikut.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën e sigurisë në Ukrainë, Nebenzya paralajmëroi se anëtarësimi i këtyre vendeve në NATO “nuk do t’i mbrojë nga kundërpërgjigjet”.
Sipas tij, Kievi ka vendosur tashmë njësi të dronëve në territorin e Letonisë, duke ngritur shqetësime për përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon.
Deklaratat e ambasadorit rus u hodhën poshtë menjëherë nga përfaqësuesja e Letonisë në Këshillin e Sigurimit, Sanita Pavluta-Deslandes, e cila i cilësoi pretendimet si “fantazi të pastër”.
Ndërkohë, zëvendësambasadorja e SHBA-së në OKB, Tammy Bruce, reagoi duke theksuar se Kombet e Bashkuara nuk janë “vend për kërcënime ndaj një anëtari të Këshillit të Sigurimit”.
Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara do të respektojnë të gjitha angazhimet e tyre në kuadër të NATO-s. /Panorama