Nën presion të madh dhe me mbijetesën që varej nga një rezultat pozitiv, Tottenham Hotspur udhëtoi drejt “Stamford Bridge” me shpresën për të marrë të paktën një pikë jetike. Por, si shumë herë më parë në shtëpinë e Chelsea, londinezët e veriut dolën duarbosh pas një tjetër nate zhgënjyese.
Chelsea triumfoi me rezultat 2-1 në një përballje të zjarrtë dhe plot tension. Fillimisht ishte Enzo Fernández ai që ndezi “Stamford Bridge” me një supergol në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë Andrey Santos dyfishoi epërsinë për vendasit.
Kur gjithçka dukej e mbyllur, Richarlison riktheu shpresat për Spurs në minutën e 74-të, duke finalizuar bukur pas një asistimi elegant me thembër nga Pape Matar Sarr. Goli ndezi tensionin në fushë dhe ndeshja u shoqërua me përplasje e kartonë nga të dyja anët.
Megjithatë, fundi ishte ai që tifozët e Tottenhamit e kanë parë shpesh në transfertë ndaj Chelseat – humbje dhe zhgënjim.
Kështu, fati i mbijetesës për skuadrën e drejtuar nga Roberto De Zerbi do të vendoset në javën e fundit të sezonit në Premierligë. Spurs kanë nevojë vetëm për një pikë në përballjen vendimtare ndaj Everton më 24 maj.
Aktualisht, Tottenhami mban 38 pikë, vetëm dy më shumë se West Ham United me 36. Ndërkohë, Burnley dhe Wolverhampton Wanderers tashmë kanë rënë nga liga.