Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se i dyshuari A.B., është ndaluar për 48-orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Materialet me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve”.
Sipas njoftimit, arrestimi i të dyshuari erdhi pas një pune intensive hetimore ndërmjet Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Luftimin e Krimeve Kibernetike.
Gjatë realizimit të operacionit bëhet e ditur se janë sekuestruar edhe pajisje elektronike, për të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale të lartcekur.
“Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, në koordinim me Policinë e Kosovës, me qëllim të ndriçimit të plotë të këtij rasti penal. Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, veçanërisht veprave penale që cenojnë integritetin dhe sigurinë e fëmijëve”, thuhet në njoftim.