Haxhiu përkujton viktimat e Masakrës së Stagovës: Drejtësia për krimin mbetet e paplotë

Prishtinë | 21 Maj 2026 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, përkujtoi sot viktimat e Masakrës së Stagovës së Kaçanikut, në 27-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe.

“Më 21 maj 1999, në Stagovë u vranë 13 civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 7-vjeçar Fitim Gudaqi. Në mbrojtje të civilëve ra edhe dëshmori Ekrem Gudaqi. Kjo ditë mbetet një nga dëshmitë më të rënda të politikës së shfarosjes, dëbimit dhe djegies që Serbia ushtroi mbi popullsinë civile në Kosovë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se Masakra e Stagovës u përfshi në aktakuzat dhe hetimet e Tribunalit të Hagës për krimet e kryera në Kosovë nga forcat e RFJ-së dhe Serbisë.

“Megjithatë drejtësia për Stagovën mbetet e paplotë, sepse ndonëse krimi u përfshi në hetimet dhe aktakuzat për krimet e kryera në Kosovë, autorët e drejtpërdrejtë dhe zinxhiri i plotë përgjegjës për këtë masakër nuk morën dënimin që kërkon pesha e krimit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Të ngjashme