Kreu i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje si pasojë e mungesës së vullnetit për marrëveshje politike dhe për shkak të, siç tha ai, përpjekjeve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për përqendrim të pushtetit.
Në Debat Plus, Hamza theksoi se ka pasur mundësi që vendi të vazhdojë me stabilitet institucional, por sipas tij, kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së kompromisit.
“Në zgjedhje jemi duke shkuar për shkak se ka kërkuar dhe ka punuar për të shkuar në zgjedhje zoti Kurti. Ka pas mundësi me pas stabiliteti politik dhe institucional, mirëpo, kur ka qëllim që i gjithë pushtet të koncentrohet në një vend, atëherë dëmi i prodhohet vendit… kësaj radhe pa i pas votat i ka kërkuar komplet pushtetin për veti. Dhe normalisht që këto pozita nuk plotësohen pa marrëveshje politike. Për plotësimin e këtyre pozitave dhe konstituimin e këtyre institucioneve duhet të ketë marrëveshje politike. Ka pas mundësi që vendi të ketë president. Kuvendi është konsistuar, qeveria është votuar dhe normalisht që vendi mos me shku në zgjedhje.
Mirëpo nuk ka pas vullnet dhe gatishmëri për një marrëveshje politike. Nuk ka pas kompromise, nuk ka pas seriozisht. Dhe si rezultat i saj ne shkojmë në zgjedhje më 7 qershor”, ka thënë Hamza.