Seriali i famshëm i Netflixit, “Emily in Paris”, do të përfundojë pas sezonit të gjashtë.
Platforma e transmetimit Netflix njoftoi të enjten se sezoni i ardhshëm i komedi-dramës romantike, me protagoniste Lily Collins, do të jetë i fundit.
“Faleminderit që na lejuat të bëhemi pjesë e jetës suaj, duke frymëzuar ëndrrat tuaja për udhëtime dhe dashurinë tuaj për Parisin”, tha krijuesi i serialit, Darren Star.
Seriali i njohur ndjek historinë e Emily Cooper, një drejtuese marketingu nga Chicago, e interpretuar nga Collins, teksa ajo përballet me sfidat e punës, romancës, miqësisë dhe modës në Paris.
Në një video, aktorja britaniko-amerikane Collins tha:
“Pas gjashtë vitesh të paharrueshme duke luajtur rolin e Emily Cooper, jam këtu për të ndarë me ju se sezoni i gjashtë do të jetë i fundit.
Sezoni i gjashtë do t’ju sjellë gjithçka që dashuroni nga seriali dhe do të shërbejë si kapitulli përmbyllës i aventurës së jashtëzakonshme të Emily-t.”
Ashley Park, Lucas Bravo, Lucien Laviscount, Samuel Arnold dhe Bruno Gouery do t’i bashkohen Collins në sezonin final.
Netflix konfirmoi për BBC-në se xhirimet kanë nisur në Greqi, ndërsa disa skena do të xhirohen edhe në Paris dhe Monako.
Ende nuk është dhënë një datë zyrtare për publikimin e sezonit të ri.