“Nga 9 dokumente në 1 kërkesë”, Gërvalla njofton hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për shtetësi

Prishtinë | 23 Maj 2026 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka njoftuar se ka hyrë në fuqi Ligji i ri për shtetësi, i cili ua lehtëson bashkatdhetarëve procedurat për rifitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi, Gërvalla bëri të ditur se tashmë aplikimi për rifitimin e shtetësisë mund të bëhet online përmes platformës e-Kosova.

“Mirëmëngjesi me super lajmin që dje hyri në fuqi, Ligji i ri për shtetësi. Të dashur bashkëmërgimtarë, tashmë mund të aplikoni edhe online për rifitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës përmes platformës e-Kosova”, ka shkruar ajo.

Ajo theksoi se me ligjin e ri do të ketë më pak dokumente, më pak kohë pritjeje dhe procedura pa pagesë për qytetarët.

“Lehtësimet do jenë konkrete, nga 9 dokumente në 1 kërkesë. Nga 6 muaj pritje në 30 ditë, dhe e gjjthë kjo pa pagesë. Pas këtyre shifrave qëndrojnë njerëz, familje, histori rikthimi dhe lidhje që nuk janë ndërprerë kurrë me Kosovën, pavarësisht sfidave e mundësive të tjera”, u shpreh Gërvalla.

Ajo pati edhe një mesazh për mërgatën, duke thënë se diaspora mbetet pjesë e pandashme e Kosovës.

“Mërgata jonë nuk është larg, sepse e kemi gjithnjë në zemër. Ju jeni pjesë e jona, e përditshme, përgjithmonë! Urime të gjithëve nga zemra!”, shtoi ajo.

Të ngjashme