Prokuroria jep detaje për tragjedinë me katër viktima në Shkup, kërkon paraburgim për shoferin nga Kosova

Prishtinë | 23 Maj 2026 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj shtetasit të Kosovës, 76-vjeçarit me inicialet B.B, nën dyshimet se shkaktoi aksidentin me katër të vdekur.

Ai dyshohet për veprën penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion.

“​I dyshuari, i moshës 76-vjeçare, po drejtonte një automjet transportues (kamion) të markës MAN me gjysmërimorkio me targa të Kosovës, përgjatë autostradës veriore të qytetit të Shkupit (unazës), në drejtim nga perëndimi në lindje. ​Gjatë lëvizjes, ai nuk u është përmbajtur rregullave të qarkullimit rrugor, duke rrezikuar kështu komunikacionin publik dhe duke vënë në rrezik jetën e njerëzve.

​Kur ka arritur në afërsi të nyjës qarkulluese në Mirkovc, ai nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit me vetitë dhe gjendjen e rrugës, dendësinë e trafikut dhe kushtet e tjera të qarkullimit, në mënyrë që të mund ta ndalonte mjetin në kohë përpara çdo pengese që mund ta parashikonte në ato rrethana”.

​“Në një moment, shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka kthyer majtas, me ç’rast ka goditur dhe shpuar rrethojën mbrojtëse metalike. Ai ka vijuar lëvizjen duke kaluar në korsinë e autostradës të destinuar për qarkullimin e automjeteve nga drejtimi i kundërt, ku është goditur ballas nga një veturë e markës “BMW”, e cila po lëvizte në drejtim nga lindja në perëndim”.

​“ Si pasojë e përplasjes, vetura dhe kamioni janë përfshirë nga flakët. Nga ky aksident, në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë katër pasagjerët që ndodheshin në veturë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Mes tjerash, Prokuroria në Shkup ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj kosovarit.

“Duke qenë se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes si dhe mundësinë që i dyshuari të përsërisë veprën penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin për caktimin e masës së paraburgimit’.

Në mesin e viktimave  të aksidentit të rëndë ishte edhe këngëtari i Operas dhe Baletit Kombëtar në Maqedoninë e Veriut, Riste Velkov 51 vjeçar dhe djali i tij Adan Velkov 20 vjeçar. Bashkë me ta jetën e humbën edhe dy të rinj të tjerë, P.M. (20 vjeç, i lindur në vitin 2005) dhe M.GJ. (20 vjeç, po ashtu i lindur në vitin 2005).

Të ngjashme