Retkoceri prezanton platformën “mbeturinat.com”: Qytetarët mund të kërkojnë online largimin e mbeturinave vëllimore

Prishtinë | 24 Maj 2026 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prishtinës ka lansuar platformën digjitale “mbeturinat.com”, përmes së cilës qytetarët do të mund të kërkojnë largimin e mbeturinave vëllimore nga shtëpitë e tyre, raporton Ekonomia Online.

Platforma u prezantua nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, i cili tha se ky shërbim do të jetë falas dhe synon të lehtësojë menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

“Për një periudhë mbi 12 mujore, për shkak të mbylljes së deponisë për dërgimin e mbeturinave vëllimore o inerte nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, ofrimi i këtyre shërbimeve ka qenë i pamundur. Megjithatë, pas zyrtarizimit të koalicionit nga Partia Demokratike e Kosovës për bashkëqeverisje në komunën e Prishtinës dhe marrjen e mandatit si drejtor i Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me kryetarin Rama dhe komunën e Prishtinës, kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për largimin dhe krijimin e një procedure për zgjidhjen sa më të mirë të mbeturinave vëllimore në kryeqytet”, tha ai.

Sipas tij, tashmë është siguruar lokacioni për pikën tranzitore dhe janë përmbyllur procedurat për pajisje me leje mjedisore, ndërsa ka nisur edhe largimi masiv i mbeturinave nga zonat urbane të Prishtinës.

“Sot jam më se i lumtur që po shkojmë një hap tej. Nga tani, qytetarët e Prishtinës mund të kërkojnë largimin e mbeturinave vëllimore nga shtëpitë e tyre përmes platformës digjitale mbeturinat.com. Një zgjidhje e thjeshtë, e shpejtë dhe falas, që kërkon pak minuta për ta aplikuar”, deklaroi Retkoceri.

Ai theksoi se shërbimi do të jetë pa pagesë për qytetarët dhe se aplikimi bëhet duke dërguar faturën e mbeturinave dhe adresën e banimit.

“Ky është shërbim edhe një herë po e potencoj që është falas për qytetarët, si investim i drejtpërdrejtë në pastërtinë dhe dinjitetin e qytetit tonë. Krejt çka duhet është sigurimi i faturës së mbeturinave dhe dërgimi i këtyre të dhënave në mënyrë që kompania të vijë saktë në vendin dhe në shtëpitë e qytetarëve për të marrë mbeturinat vëllimore”, tha ai.

Retkoceri shtoi se një pjesë e pajisjeve që do të mblidhen, nëse janë funksionale, mund të ripërdoren për familjet në nevojë.

“Kjo nuk është vetëm largim i mbeturinave vëllimore, por është një ambient i pastër dhe një vlerë sociale. Disa prej pajisjeve që do të tërhiqen nga shtëpitë e qytetarëve, nëse janë funksionale, do të pastrohen dhe do të shihet mundësia për dërgimin e tyre te familjet me raste sociale dhe në nevojë. Ky është një model i ri i bashkëpunimit mes qytetarit, komunës dhe kompanive së bashku, për një shërbim sa më të mirë publik”, u shpreh ai.

Të ngjashme