Kurti premton investime kapitale dhe luftë kundër korrupsionit gjatë vizitës në Prizren

Prishtinë | 26 Maj 2026 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë Fitore Pacolli, zëvendësministrja në detyrë Nora Arapi dhe kandidatët për deputetë Artan Abrashi, Mytaher Haskuka, Hysni Mehani dhe Arber Rexhaj, ka vizituar banorët e lagjes Kurillë dhe fshatit Romajë të Hasit në Prizren.

Gjatë takimeve me qytetarët, Kurti falënderoi banorët për mbështetjen ndaj Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe numrit 116, duke theksuar angazhimin për vazhdimin e projekteve zhvillimore në mandatin e ardhshëm.

Ai deklaroi se gjatë pesëvjeçarit të kaluar prioritet kanë qenë nënat, fëmijët, veriu, bujqësia dhe ushtria, ndërsa paralajmëroi investime të mëdha kapitale për vitet në vijim.

“Do të vazhdojmë mandatin e ardhshëm me investimet e mëdha kapitale ku përfshihen hekurudhat, mes tyre ajo që lidh Prizren me Ferizaj, Gjilan dhe Bujanoc; pesë diga me investime mbi 400 milionë euro, 20 stadiume moderne me investime prej 250 milionë eurosh, si dhe përfundimin e rrugës Prizren-Tetovë,” tha Kurti.

Ai njoftoi gjithashtu se do të themelohet Byroja për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së pajustifikueshme, me synim luftimin e korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm.

Të ngjashme