Kosova merr nën kontroll hekurudhën në veri, Sveçla: Është pjesë e rrjetit tonë

Prishtinë | 28 Maj 2026 | 10:47 | Nga Ekonomia Online

Ministrat në detyrë, Dimal Basha, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvanolli morën pjesë në aksionin e policisë për marrjen nën kontroll të stacioneve hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq.

Në këto dy komuna, stacionet e trenit kishin tabela në cirilik, tabela këto që u zëvendësuan me emërtimin në gjuhën shqipe dhe serbe, bashkë me stemën dhe emërtimin e Republikës së Kosovës, shkruan IndeksOnline.

Objektet tani e tutje do të menaxhohen nga Infrakos-i, nën autoritetet e Kosovës.

Pas aksionit në njërën prej komunave, Sveçla deklaroi se u mor nën kontroll edhe një tjetër institucion paralel serb, me Kosovën që planifikon të përshtatë dhe rifillojë punën në këtë stacion.

“Kjo është pjesë e rrjetit tonë dhe, siç theksoi ministri i Infrastrukturës, kjo do të jetë edhe pjesë e projekteve të rindërtimit të të gjithë rrjetit hekurudhor të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.

Të ngjashme