Dora Kaprálová fiton EUPL 2026, Arben Idrizi prezanton Kosovën në ceremoninë evropiane

Prishtinë | 30 Maj 2026 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në cilësinë e institucionit nominues, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së European Union Prize for Literature 2026, ku Kosova u përfaqësua nga shkrimtari Arben Idrizi me veprën e tij “Njeriu që habitej dhe tregime të tjera”.

Në këtë ngjarje të rëndësishme letrare mori pjesë edhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha. Gjatë prezantimeve të autorëve finalistë, Idrizi lexoi një fragment nga libri i tij në gjuhën shqipe, duke prezantuar para audiencës evropiane letërsinë bashkëkohore të Kosovës.

Ceremonia u hap me fjalimet e përfaqësuesve të institucioneve evropiane të librit dhe kulturës, ndërsa fituese e Çmimit Evropian për Letërsi 2026 u shpall Dora Kaprálová për veprën Mariborská hypnóza.

Juria ndërkombëtare ndau gjithashtu dy vlerësime të veçanta për Hélène Frédérick për veprën Lézardes dhe për Vladimir Vujović për librin Slobodni udarci.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës vlerësoi pjesëmarrjen e Arben Idrizit, duke theksuar se ai përfaqësoi me dinjitet letërsinë shqipe dhe Kosovën në një nga skenat më prestigjioze të letërsisë evropiane.

Institucioni falënderoi gjithashtu jurinë kombëtare, e përbërë nga Nysret Krasniqi, Nerimane Kamberi, Anton Berishaj, Meliza Krasniqi dhe Blerina Rogova Gaxha, për përzgjedhjen e autorit që përfaqësoi Kosovën në edicionin e sivjetmë të EUPL-së./KultPlus.com

Të ngjashme