Ministria e Kulturës: Mbështetja për sektorin kulturor nuk është zvogëluar

Prishtinë | 30 Maj 2026 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Kulturës dhe Turizmit njofton opinionin publik që mbështetja për sektorin e kulturës vazhdon të jetë e lartë.

Pëmres, një njoftimi për media thuhet se pretendimet se kemi ulur shumën e mbështetjes trevjeçare për organizatat kulturore janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë gjendjen reale të mbështetjes për sektorin e kulturës.

Në Thirrjen publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2026 nuk është zvogëluar mbështetja financiare për organizatat kulturore krahasuar me vitin paraprak.

Kategoria “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” vazhdon të mbështetet me të njëjtën vlerë si në vitin 2025, respektivisht deri në 40,000 euro për projekt.

Keqinterpretimi duket të ketë ardhur nga fakti se kategoria “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës” nuk është përfshirë në këtë thirrje, pasi gjatë vitit 2026 do të shpallet një thirrje e veçantë për këtë kategori. Në kuadër të saj, vlera maksimale e mbështetjes financiare do të jetë deri në 100,000 euro.

Po ashtu, bazuar në rezultatet e thirrjeve publike të viteve 2024 dhe 2025, Ministria tashmë ka nënshkruar kontratat dhe ka ekzekutuar pagesat për shumicën e organizatave përfituese në kuadër të mbështetjes trevjeçare për vitin 2026. 35 organizatat kryesore kulturore në vend, përfituese nga mbështetja institucionale e Ministrisë, tashmë janë në proces të zbatimit të programeve të tyre.

Për thirrjen publike të vitit 2026 për art, kulturë dhe trashëgimi kulturore janë planifikuar 1 milion euro.

Ndërkaq, nga thirrjet publike të viteve 2024 dhe 2025 janë nënshkruar kontrata në vlerë prej 1,703,000 eurosh me:

• 16 organizata kulturore në kategorinë “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës”;

• 19 projekte në kategorinë “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”.

Në total, 35 organizata kulturore përfitojnë mbështetje financiare për vitin 2026 në bazë të kontratave të lidhura nga thirrjet e viteve paraprake.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, mbështetjes së qëndrueshme të sektorit kulturor dhe informimit të drejtë e të saktë të qytetarëve.

Të ngjashme