Mentor Ismaili: Fëmijët nuk duhet të keqpërdoren për mesazhe që përçajnë

Prishtinë | 02 Qer 2026 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Mentor Ismaili ka reaguar lidhur me tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur në Vushtri ku lideri i kësaj partie, Albin Kurti e ka ftuar në foltore një vajzë e cila edhe recitoi një poezi dhe kjo më pas ngjalli reagime të ashpra.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Ismaili ka thënë se fëmijët tanë duhet të edukohen me vlerat e respektit, tolerancës dhe dashurisë për atdheun.

Sipas tij, Kosova nuk është ndërtuar mbi urrejtje e mallkime, por mbi sakrificë, unitet dhe besim në një të ardhme më të mirë.

Postimi i tij i plotë:

Kur analfabetizmi shndërrohet në mesazh publik.

Më dhemb fakti që në vend se një fëmijë t’i recitonte Kryeministrit poezi për lirinë e Kosovës, për sakrificën e dëshmorëve, për luftën çlirimtare dhe për heronjtë që na sollën lirinë, u dëgjuan mallkime me përmbajtje fetare.

Fëmijët tanë duhet të edukohen me vlerat e respektit, tolerancës dhe dashurisë për atdheun. Ata duhet të flasin për Kosovën, për lirinë, për dëshmorët dhe për ata që sakrifikuan gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë.

Kosova nuk është ndërtuar mbi urrejtje e mallkime, por mbi sakrificë, unitet dhe besim në një të ardhme më të mirë. Prandaj, fëmijët duhet të jenë zëri i shpresës dhe i dashurisë për vendin, e jo bartës të mesazheve që ndajnë dhe përçajnë.

Brezat e rinj meritojnë të rriten me frymën e lirisë së Kosovës, jo me gjuhën e mallkimit. 🇽🇰

Prind të respektuar mos i lejoni fëmijët të keqpërdoren!

Të ngjashme