Brazili i Ancelottit niset drejt SHBA-së, Neymar e jep mesazhin që i ndez tifozët

Prishtinë | 02 Qer 2026 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Brazilit e ka nisur zyrtarisht udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kupën e Botës 2026, me synimin për t’i dhënë fund pritjes 24-vjeçare për titullin e gjashtë botëror.

Entuziazmi rreth “Seleçaos” është i madh, ndërsa skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti konsiderohet një nga favoritët për triumfin final.

Në qendër të vëmendjes vazhdon të jetë Neymar, shkruan “Gazeta Express”.

Sulmuesi i Santosit, i rikthyer në Kombëtare për Botërorin, e publikoi një fotografi nga aeroplani pak para nisjes, ku shfaqej mes shokëve të skuadrës, shoqëruar me mesazhin e shkurtër: “Të gjithë së bashku”.

Postimi u interpretua si një thirrje për unitet dhe besim para sfidës më të madhe të futbollit botëror.

Ylli brazilian e publikoi gjithashtu një imazh të trofeut të Kupës së Botës, i ekspozuar në muzeun e Federatës Braziliane të Futbollit, duke lënë të kuptohet qartë objektivi i skuadrës së Carlo Ancelottit: rikthimin e Brazilit në majën e futbollit botëror.

Nisja e kombëtares u shoqërua nga një atmosferë festive në aeroportin Galeão të Rio de Janeiros.

Aeroplani i ekipit kaloi nën harkun tradicional të ujit të krijuar nga automjetet zjarrfikëse të aeroportit, një ceremoni simbolike që përdoret në raste të veçanta dhe ngjarje madhore.

Ancelotti ka deklaruar më herët se Brazili do të udhëtojë në Botëror me ambicie maksimale dhe me synimin për ta fituar trofeun.

Trajneri italian e ka ndërtuar një skuadër që e kombinon eksperiencën e Neymarit, Casemiros dhe Alissonit me talentin e brezit të ri të udhëhequr nga Vinicius Junior, Raphinha dhe Martinelli.

Për tifozët brazilianë, rikthimi i Neymarit në Botëror e përfaqëson një burim të madh shprese.

Sulmuesi u emocionua publikisht kur mësoi për ftesën e tij në listën përfundimtare dhe vazhdon të mbetet figura më e dashur e futbollit brazilian.

Tani e gjithë vëmendja është te misioni i madh i “Seleçaos”: fitimi i Kupës së Botës për herë të gjashtë dhe rikthimi i lavdisë që mungon që prej triumfit të vitit 2002.

Të ngjashme