Pesë ditë fushatë, DnV: Dominim i liderëve dhe përdorim i fëmijëve në fushatë

Prishtinë | 02 Qer 2026 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Qeverisë për të ndarë mjete financiare në prag zgjedhjesh, ku sipas tyre e bën një garë të pabarabartë zgjedhore, raporton Ekonomia Online.

Violeta Haxholli nga DnV, në një konferencë për media ka thënë se ky është një shqetësim i vazhdueshëm për ta.

“Shqetësim i vazhdueshëm që ne, si Demokracia në Veprim, e kemi evidentuar është përdorimi i resurseve publike që ka filluar qysh para fillimit zyrtar të fushatës, kryesisht e karakterizuar me vendimet e qeverisë për shpërndarje të përfitimeve financiare për qytetarët, gjë që ka krijuar pra një garë të pabarabartë zgjedhore”, ka deklaruar ajo.

Kurse, duke folur për pjesëmarrjen e grave në këto zgjedhje Haxholli tha se pjesëmarrja e tyre është vetëm 34%, pak më e lartë se sa në zgjedhjet e kaluara.

“Theksojmë që në këto zgjedhje apo gjatë fushatës, pra, po garojnë gjithsej 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë. Përbërja e grave është 34%, pra, vetëm pak më e lartë se në zgjedhjet e vjetshme dhe vetëm pak mbi minimumin sa kërkon ligji, pra kuotën që kërkohet me ligj. Subjektet politike që po garojnë në këto zgjedhje kanë rifreskuar në masë të madhe listat për dallim nga zgjedhjet e vjetshme, ku në përgjithësi mbi 50% e listave të subjekteve po janë të reja. Pra, janë hequr kandidatë, ndërsa janë shtuar kandidatë të rinj për këto zgjedhje. Nëse e shohim në nivel vendi apo komunat se nga po vijnë kandidatët që po garojnë në zgjedhje, prin Prizreni, i cili ka numrin më të madh të kandidatëve me gjithsej 157, pasuar nga Prishtina, nga ku vijnë 153 kandidatë që kanë garuar, Peja me 58 kandidatë, Ferizaji me 77 dhe Fushë Kosova, edhe pse një komunë relativisht e vogël, ka 55 kandidatë”, tha Haxholli.

Sa i përket programeve, Haxholli tha se më shumë janë reciklim i programeve të vjetra.

“Nëse flasim për programet, partitë politike së fundmi kanë filluar t’i publikojnë programet e tyre të reja për këto zgjedhje, dhe nëse e shikon përmbajtjen e tyre, ato janë më shumë riciklim i programeve të kaluara politike, por që tani janë, me një fjalë, riambalazhuar në formë të zotimeve”, tha ajo.

Haxholli ka folur edhe për përdorimin e fëmijëve në tubimet e partive politike, duke treguar se tashmë janë dorëzuar edhe ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

“Një fenomen tjetër që po e vërejmë dhe që është në rritje, fatkeqësisht, është përdorimi i fëmijëve në tubimet e subjekteve politike. Këtë e kemi vërejtur te disa subjekte politike. Ne si DnV, do të thotë, kemi kritikuar qasjen e subjekteve politike në këtë drejtim dhe gjithashtu tanimë edhe në PZAP janë dorëzuar ankesa sa i përket përdorimit të fëmijëve në fushatë, dhe shfrytëzoj rastin këtu që t’iu bëjmë thirrje subjekteve politike që ta ndërprejnë pra një praktikë të tillë të shfrytëzimit të fëmijëve për qëllime elektorale. Sa i përket ecurisë së fushatës kur flasim pra për aktivitetet e subjekteve politike, vërehet një intensifikim i aktiviteteve në pesëditëshin e fushatës. Kemi parë që tubimet e hapura janë mbajtur në kryeqendrat kryesore të Kosovës. Përveçse në terren, edhe në hapësirën online e vërejmë këtë intensifikim të aktiviteteve. Çfarë po shohim është një centralizim i fushatës kryesisht tek liderët e partive, pra ata po marrin hapësirën më të madhe. Dhe duke parë këtë trend, atëherë kandidatët kanë filluar të shfrytëzojnë më shumë platformat online, siç është rrjeti social Facebook dhe rrjetet e tjera sociale, ku po i shohin si mundësi e mirë për të promovuar pra programin apo qëndrimet e tyre”, tha Haxholli.

“Sa i përket PZAP-së, siç u cek, dy ankesa janë dorëzuar për keqpërdorim të fëmijëve në fushatë, dhe një ankesë është dorëzuar për gjuhë nxitëse apo të urrejtjes. Përveç këtyre fenomeneve që i kemi hasur gjatë këtyre pesë ditëve, ndonëse për dallim nga zgjedhjet e kaluara gjuha nxitëse dhe e urrejtjes e përdorur nga liderët apo edhe subjektet politike në këtë fushatë zgjedhore është më e ulët, sërish është shqetësuese dhuna online që po nxitë pra nga përkrahësit e subjekteve politike”, tha Haxholli.

Ajo, ka thënë se sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ajo që i shqetëson është se përse u është lënë në diskrecion partive të vendosin për komisionerët të cilët kanë qenë nën hetim për keqpërdorime në zgjedhjet e kaluara.

“Në kontekstin e administrimit të zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me planifikimin dhe organizimin e këtij procesi zgjedhor. Çfarë kemi parë është që në një vendim të fundit të KQZ-së ka qenë më shqetësues, ku sa i përket komisionerëve të cilët kanë qenë nën hetim në lidhje me keqpërdorimet zgjedhore në zgjedhjet e kaluara, u është lënë në diskrecion partive që ato të rregullojnë pra komisionerët apo të mos i dërgojnë ata. Pra, duke përjashtuar KQZ-në veten  nga ky vendim, gjë që e shohim që nuk është në frymën e parimeve të integritetit zgjedhor”, ka shtuar ajo.

Kurse, Rrezarta Krasniqi tha se kanë evidentuar 56 shkelje të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, dezinformim apo keqinformim, të cilat sipas saj atakojnë kryesisht gratë.

“Gjatë fushatës zgjedhore me hapësirën online, për zgjedhjet e 7 qershorit, po zhvillohen në dy drejtime. E para është tek monitorimi sistematik që përfshin faqet zyrtare të subjekteve politike, faqet zyrtare të kandidatëve për kryeministër, si dhe faqet e profileve zyrtare të kandidatëve për deputetë apo deputete. Gjatë kësaj kohe dhe gjatë monitorimit të javës së parë të fushatës, jemi fokusuar kryesisht në rrjetet sociale siç janë: Facebook-u, Instagrami dhe TikTok-u, që kanë më së shumti përdorues kohëve të fundit, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, për 21 subjekte politike’, tha ajo.

“Jemi fokusuar kryesisht në analizën e gjuhës së përdorur dhe postimeve të ndërveprimeve prej kandidatëve, ku gjatë monitorimit sistematik kemi identifikuar 56 raste ku ka shkelje dhe tregohen si paraqitje si gjuhë e urrejtjes, dezinformim, keqinformim, përmbajtje jashtë kontekstit apo gjuhë shpifëse. Nga ky numër prej 56 rastesh 35 përbëjnë raste të gjuhës së urrejtjes të kandidatëve për deputetë dhe deputete: 19 raste të gjuhës përçmuese apo shpifëse dhe 2 raste të dezinformimit.

Një informacion tjetër mjaft relevant gjatë kësaj jave të monitorimit është se, prej 56 rasteve, 27 raste ata u takojnë grave. Pra, kanë target gratë kandidate të subjekteve politike”, tha Krasniqi.

Të ngjashme