Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka thënë në tubimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë se kryeqytetit i nevojitet një qeveri që mbështet projektet zhvillimore dhe e sheh Prishtinën si motor të zhvillimit ekonomik të vendit, e jo një qeveri që, sipas saj, bllokon investimet për arsye politike.
Ajo adresoi kritika ndaj pushtetit aktual për qasjen ndaj Prishtinës.
“Prishtinës më në fund i duhet një qeveri e cila zhbllokon projekte, e cila e mbështet Prishtinën dhe e cila e sheh Prishtinën si motor të zhvillimit ekonomik të të gjithë Republikës së Kosovës, e jo një qeveri e cila thjesht për inate – për inate dhe asgjë tjetër – bllokon çdo projekt që është në interes të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.
Ajo tha se një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të saj politik e ka zhvilluar në Degën e Katërt të LDK-së, duke shprehur bindjen se kandidatët e kësaj dege do të arrijnë rezultat të lartë në zgjedhjet e ardhshme.
“Ju e dini, një pjesë të madhe të rrugëtimit tim politik e kam bërë pikërisht këtu, në Degën e Katërt të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ka qenë nder i veçantë për gjatë shumë viteve që të punojmë bashkë. Për shumë mandate, unë jam prezantuar pikërisht sikur kandidatët tuaj që po i shihni në Degën e Katërt. Gjithmonë kemi pasur sukses dhe jam e bindur që edhe me kandidatët që po i shohim sonte, Dega e Katërt mund të jetë ndër degët më triumfuese me suksesin e kandidatëve të vet për deputetë dhe deputetëve të ardhshëm të Kuvendit”, tha Osmani.
Duke folur për të rinjtë, ajo tha se potenciali i tyre po mbetet i pashfrytëzuar për shkak të mungesës së investimeve dhe perspektivës.
“Rinia e Prishtinës është rinia më e mirë në botë dhe këtë jua them me bindje të plotë, meqenëse e kam vizituar pothuajse çdo vend të botës. Nuk ka rini me potencial më të jashtëzakonshëm sesa rinia e Republikës së Kosovës. Por ky potencial për momentin është i bllokuar për shkak të mungesës së investimeve, për shkak të mungesës së perspektivës dhe për shkak të mungesës së shpresës”, tha ajo.
Osmani tha se gjithnjë e më shumë të rinj po e shohin të ardhmen jashtë Kosovës.
“Sot të rinjtë tanë po e shohin shpëtimin në mërgim, po e shohin shpëtimin në aeroport, sa më larg Kosovës, sepse as nuk kanë perspektivë të garantuar në punësim, as nuk kanë perspektivë të garantuar në specializim, as në praktikë, e as nuk e shohin mënyrën e realizimit të ëndrrave të tyre këtu. Prandaj kjo duhet të ndryshojë drastikisht”, deklaroi Osmani.
Ajo tha se investimi në kapitalin njerëzor duhet të jetë prioritet, duke përmendur arsimin dhe shëndetësinë si fusha kyçe të programit të LDK-së.
“Duhet të investojmë në kapitalin tonë njerëzor, sepse kjo është pasuria më e madhe që e ka Prishtina dhe e gjithë Kosova. Dhe mënyra e vetme është nëpërmjet programit të jashtëzakonshëm që e ka prezantuar LDK-ja, duke e bërë arsimin prioritet kombëtar, duke e bërë shëndetësinë prioritet kombëtar, duke bërë investimet më të mëdha që i ka njohur historia e Republikës së Kosovës në këto 27 vite”, tha ajo.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.
“Kur keni një program të tillë para vetes, kur keni kandidatë të tillë para vetes, kur keni një kryeministër të tillë para vetes, nuk ka zgjidhje tjetër pos numrit 113 dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën jam e bindur se kësaj radhe është pikërisht Prishtina ajo e cila do ta prijë drejt fitores”, shtoi Osmani.

