Editorial nga E Ngarkuara me Punë Anu Prattipati:
Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në katër vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje, që shënon rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025. Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj.
Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën. Gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të mundësonte shtimin e llojllojshmërisë në furnizimin me energji, do të plotësonte burimet e brendshme energjetike të Kosovës dhe do të përbënte edhe një lidhje tjetër në partneritetin ekonomik në rritje ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës.
I Dërguari i Posaçëm i Departamentit të Energjisë së ShBA-së për Integrimin Energjetik, z. Xhoshua Volz, rishtazi shpjegoi: „Sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane… dhe Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”.
Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare, e llojllojshmëria e burimeve energjetike përmes gazit natyror është thelbësore për arritjen e të ardhmes së sigurt. Centralet elektrike me gaz natyror ofrojnë aftësinë për të përmbushur më mirë rritjen e kërkesës dhe për të stabilizuar çmimet gjatë periudhave të pikut. Zgjerimi i prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike përtej kërkesës së vendit do të përmirësonte pavarësinë energjetike dhe do t’i mbronte konsumatorët nga lëvizjet e papritura të çmimeve.
Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë. Eksportet e GNL -së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL -së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.
Lidhja me një projekt gazsjellësi tashmë të planifikuar do të shkurtonte afatin kohor dhe do të ulte shpenzimet. Gjithashtu, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka në dispozicion mekanizma financimi për të ndërtuar infrastrukturë të gazit natyror. Kosova mund të punojë me partnerët rajonalë për të siguruar kontrata afatgjata dhe ekonomi të shkallës me çmime më konkurruese. Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan. Historia nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen.
Kosova tani përballet me një zgjedhje të rëndësishme strategjike. Administrata e presidentit Trump prioritet kryesor e ka uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse. Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu.