Kryetari i Mitrovicës së Veriut shoqërohet në Polici

Prishtinë | 05 Qer 2026 | 11:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozaq, janë shoqëruar në Policinë e Kosovës.

Kështu ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Sipas raportimeve të mediave ngjarja ka ndodhur pasi Inspektorati Komunal i Mitrovicës së Veriut ka shkuar sot rreth orës 10:00 në vendin ku ndodhet tabela “E dua Mitrovicën”, me qëllim heqjen e saj.

Më pas, Radojeviq dhe Zaporozaq janë shoqëruar në polici në kuadër të këtij rasti, i cili lidhet me dyshime për vandalizëm.

Ndërkohë, anëtarë të Listës Serbe dhe mediat serbe janë mbledhur para stacionit policor atje.

Radojeviç fillimisht hyri në një debat me oficerët e policisë, duke theksuar se ata nuk kishin marrë konfirmim nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal në lidhje me vendimin e marrë nga komuna në seancën e mëparshme të Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut për të hequr tabelën, raporton Kossev.

Më pas ai akuzoi policinë se “nuk po komunikon me komunën”, por, siç e tha ai, me “Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale”.

“Bashkëpunimi nuk është dypalësh, bashkëpunimi nuk është në interes të qytetarëve. E kuptoj punën tuaj, por nëse duam të punojmë në interes të qytetarëve, jo në interes të një pale”, tha ai.

Të ngjashme