“Kosova po zbrazet”, Guri rendit arsyet pse të rinjtë po largohen nga Kosova

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 09:30 | Nga Erza Hetemi

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri ka shpalosur strategjinë e kësaj partie për mos largimin e të rinjve nga vendi.

Në zotimet e tyre, LDK-ja ka vendosur ndër pikat e para punësimin për të rinjtë.

Guri, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se ky program përfshin trajnime për 40 mijë të rinj.

“Rinia e Kosovës është pasuria më e madhe që e ka Republika e Kosovës, është krenaria e Kosovës, është motori i Kosovës. Rinisë së Kosovës ia kanë lakmi të gjitha shtetet e botës, secili shtet që do e kishte pasur rininë e Kosovës, investimin kryesor do e kishte bërë në rininë e Kosovës, kështu që Lidhja Demokratike e Kosovës në programin e saj i ka 40 mijë trajnime për 40 mijë të rinjë në sektorin e ICT-së, për arsye se të rinjtë e Kosovës janë të jashtëzakonshëm në digjitalizim, janë të jashtëzakonshëm në IT, mirëpo deri tash është Kosova i vetmi shtet që asnjë strategji nuk e ka ndërmarrë për ta zhvilluar, për ta avancuar këtë pasuri dhe me e kapitalizua këtë pasuri që e ka Kosova”, tha Guri.

Guri, ka treguar edhe arsyet se përse të rinjtë po largohen nga vendi.

“Të rinjtë fatkeqësisht janë duke ikur prej Kosovës, Kosova po zbrazet. Nën një, se të rinjtë nuk kanë mundësi të punësimit, nuk kanë mundësi ta shpalosin gjithë potencialin e tyre që e kanë, edhe ëndrrat e tyre po i gjejnë në shtetet e tjera, në Evropë, e ne me bë çmos që të rinjtë e Kosovës me i mbajtë në Kosovë, me e zhvillu Republikën e tyre për arsye se Kosova është e rinisë së Kosovës.”, tha ai.

Guri thotë se të rinjve në këtë vend u ka humbur shpresa.

”Unë  isha edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, domethënë imagjinojeni, në këtë vend arsyeja pse po ikin të rinjtë është se ka humb shpresa, domethënë gjashtë vite nuk kanë qenë në gjendje një renovim të një teatri ta bëjnë. Përderisa, shtetet tjera e çojnë në hënë dhe i kthejnë astronautët për 40 ditë, ne gjashtë vite nuk jemi në gjendje, qeveria e Albin Kurtit një renovim ta përfundojë brenda 6 viteve, kështu që Lidhja Demokratike ka plan jashtëzakonisht të mirë sesi ta mbajë rininë në Kosovë”, shtoi ai.

Të ngjashme