Reçica vazhdon fushatën me takime në Drenas, Ferizaj, Gjilan e Kaçanik: Mbështetje për bizneset, arsimin dhe veteranët

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Elmi Reçica, ka zhvilluar gjatë së enjtes një sërë aktivitetesh elektorale në disa komuna të Kosovës, ku ka takuar qytetarë, biznese vendore, mësimdhënës dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Reçica fillimisht ka qëndruar në Drenas, ku së bashku me kryetarin Ramiz Lladrovci dhe kandidatët për deputetë të PDK-së ka vizituar familjen Bucolli.

Ai tha se mbështetja dhe mikpritja që mori në këtë takim janë motiv shtesë për vazhdimin e fushatës.

“Mbrëmë në Drenas, së bashku me kryetarin Ramiz Lladrovci dhe kandidatët për deputetë, në familjen e nderuar Bucolli. Besimi, mbështetja e fuqishme dhe mikpritja që morëm janë motiv shtesë për të vazhduar përpara me vizion dhe përgjegjësi”, ka shkruar Reçica.

Në kuadër të aktiviteteve në Ferizaj, ai ka vizituar ordinancën stomatologjike “Dr. Labi”, për të cilën tha se ofron profesionalizëm dhe shërbime cilësore për qytetarët.

“Pata kënaqësinë të vizitoj ordinancën stomatologjike Dr. Labi në Ferizaj, një ambient modern dhe mikpritës ku shëndeti oral trajtohet me seriozitet, profesionalizëm dhe respekt për çdo pacient”, ka shkruar ai.

Reçica po ashtu ka vizituar kompaninë “Kema Pack”, të cilën e cilësoi si histori suksesi të ndërtuar nga puna dhe përkushtimi i vëllezërve Berisha.

“Kënaqësi të vizitoj Kema Pack në Ferizaj, një histori suksesi e ndërtuar me punë të palodhur, vizion dhe përkushtim nga vëllezërit Berisha”, ka shkruar Reçica.

Ai vizitoi edhe kompaninë “Dardania Model”, ku tha se bizneset vendore po dëshmojnë konkurrencë dhe sukses edhe në tregjet ndërkombëtare.

“Kënaqësi të vizitoj kompaninë Dardania Model, një shembull i punës së palodhshme, profesionalizmit dhe cilësisë vendore. Me përkushtim dhe vizion, kjo kompani po dëshmon se bizneset tona mund të jenë konkurrente dhe të suksesshme në tregun vendor dhe ndërkombëtar”, ka shkruar ai.

Në Gjilan, kandidati i PDK-së ka vizituar fabrikën “Albimi”, prodhuese dhe montuese e biçikletave në Kosovë.

“Në Gjilan ma dhuruan një biçikletë – dhe jo çfarëdo, por Made in Kosova”, ka shkruar Reçica, duke shtuar se ndihet krenar për historitë e suksesit që mbajnë vulën “Prodhuar në Kosovë”.

Po ashtu, ai ka zhvilluar takim me bashkëveprimtarin Avdi Kqiku, të cilin e cilësoi si njeri besnik ndaj idealeve dhe angazhimit për të mirën e përbashkët.

“Takim i veçantë në Gjilan me bashkëveprimtarin dhe idealistin Avdi Kqiku, njeriun që për vite me radhë i ka mbetur besnik vlerave, parimeve dhe angazhimit për të mirën e përbashkët”, ka shkruar Reçica.

Gjatë ditës, ai ka takuar edhe mësimdhënës në Ferizaj, për të cilët tha se bartin barrën kryesore të edukimit dhe të ardhmes së vendit.

“Ferizaj ka mësimdhënës të shkëlqyer, profesionistë e të përkushtuar, të cilët çdo ditë japin më të mirën për arsimin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka shkruar ai.

Në fund të aktiviteteve të ditës, Reçica ka qëndruar edhe në Kaçanik, ku është takuar me veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në mesin e më meritorëve të lirisë së Kosovës, veteranëve të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik”, ka shkruar Reçica.

Të ngjashme